Bruksel, 12 mars Tre politikanët kryesorë të Serbisë, presidenti Tomislav
Nikoliq, kryeministri Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq,
për gati tri orë kanë biseduar të hënën mbrëma në Bruksel me përfaqësuesen e
lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine
Ashton, ndërmjetësuese në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.
Nga deklarata e baroneshës Ashton as kësaj radhe nuk mund të kuptohet shumë
rreth përmbajtjes së bisedimeve, por është e qartë se ajo tashmë ka rritur
presionin ndaj palëve që të arrihet një lloj marrëveshjeje për veriun e
Kosovës. Në kuadër të këtyre përpjekjeve ajo tash, pasi ka kuptuar qëndrimet e
Serbisë, do të vizitojë edhe Kosovën, të enjten, për të bërë përpjekje që të
bindë edhe këtë palë për kompromisin rreth veriut dhe bashkësisë/asociacionit
të komunave serbe.
"Takova sot presidentin Nikoliq, kryeministrin Daçiq dhe zëvendëskryeministrin
Vuçiq në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe
Prishtinës. Patëm një diskutim të hapur dhe përmbajtjesor. Rishqyrtuam
progresin e deritashëm në dialog. Në veçanti folëm për implementimin e
marrëveshjeve tashmë të arritura dhe për nevojën që të finalizohen diskutimet
për çështjet e hapura, me theks të posaçëm në veri të Kosovës, në pritje të
takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve më
20 mars në Bruksel", thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ashton.
Në këtë deklaratë megjithatë vërehet një lloj presioni ndaj palëve që sa më
parë të pranojnë kompromisin. "Në takimin e sotëm nënvizova rëndësinë e
arritjes së marrëveshjeve për çështjet e hapura ndërmjet dy palëve sa më parë
që të jetë e mundur. Në përputhje me konkluzionet e dhjetorit të Këshillit, unë
do të raportoj në Këshill në prill për marrëveshjet e arritura dhe punën në
vazhdim për t'i implementuar ato", ka thënë Ashton.
Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ishte i vetmi i cili pas takimit doli
para gazetarëve.
"Biseduam me zonjën Ashton në mënyrë shumë të hapur, të sinqertë dhe konkretisht,
sepse nuk kemi shumë kohë. Mendoj se Serbia ka humbur tepër shumë kohë në
bisedime të zbrazëta e ky ishte një takim nga i cili në 10 ditët e ardhshme me
siguri do të dalin rezultatet, unë shpresoj që do të mund të shohim se mund të
arrihet tek marrëveshja ndërmjet nesh dhe Prishtinës, dhe që kjo do të mund të
ishte nxitje edhe për Bashkimin Evropian që me Serbinë t'i nisë negociatat e
anëtarësimit", tha Nikoliq.
"Ne kryesisht kemi biseduar në bazë të Rezolutës së Kuvendit të Serbisë, çfarë
nga ajo rezolutë mund të zbatohet menjëherë e çka kërkon ndryshimin e ligjeve
që janë miratuar në Prishtinë, tha presidenti i Serbisë.
Ai më tej tha se pret që Catherine Ashton "në bisedime me përfaqësuesit e
Prishtinës do të ketë një qëndrim unik të Serbisë rreth asaj se çfarë mund të
pranojë Serbia e çka nuk mund të pranojë kurrë".
"Mendoj se kemi arritur ta bindim zonjën Ashton se Serbia është e përkushtuar
për anëtarësim në Bashkimin Evropian, se do të bëjë shumë gjëra të cilat nuk
kanë mundur as të mendoheshin para disa muajsh, por ajo që, jo vetëm ne tre,
por atë që tërë Serbia e thotë me vite, se nuk mund të pranojë, Serbia kurrë
nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë.
Një gjë të tillë askush më as nuk e kërkon, madje as si aludime, pasi që është
e qartë se bashkëbisedues për tema të tilla në Serbi nuk do të gjejnë. Por për
tema për integrime evropiane, tema për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët
e Serbisë, për qytetarët e Kosovës dhe Metohisë, për sigurinë e plotë dhe
sigurimin e përparimit të bashkësisë serbe në Kosovë dhe Metohi, për tema të
tilla kushdo që do të bisedojë do të gjejë në ne bashkëbisedues", tha ai.
I pyetur se a ka pasur ndonjë dokument të paraqitur në takim nga ana e BE-së,
për çfarë është spekuluar në mediat serbe, Nikoliq tha se "deri më tash
dokumenti i vetëm zyrtar për të cilin bisedojmë është Rezoluta e Kuvendit
Popullor të Serbisë dhe letra për bisedime që del nga ajo".
Nikoliq: Prishtina ka lëshuar pe!
Në një pyetje të gazetarëve se çfarë ka ndryshuar së fundmi, pasi që tha se
pret rezultate në dhjetë ditët në vijim, Nikoliq është përgjigjur se " pala
shqiptare ka lëshuar pa,e cila thoshte në fillim se asgjë nuk mund të
ndryshohet në Kushtetutën dhe ligjet e tyre, ndërsa sot është evidente se edhe
ata duhet të kujdesen për qytetarët të cilët jetojnë në Kosovë dhe Metohi dhe
të cilët nuk mund të jenë pengje të ambicieve vetëm të politikanëve nga
Prishtina".
"Duhet t'u sigurohet një jetë më e mirë. Unë jam i bindur se jemi shumë afër,
por krejt varet nga ajo se a janë njerëzit në Prishtinë të vetëdijshëm se duhet
t'iu ndihmojnë njerëzve apo vetëm karrierës së tyre politike", tha Nikoliqi.
I pyetur se si e sheh përmirësimin e raporteve të Beogradit me Prishtinën në të
ardhmen, presidenti serb tha se "këto janë raporte afatgjate dhe nuk mund të
prisni menjëherë që të riparohet ajo që na ndan, të harrohet ajo që kujtojmë
nga e kaluara, por është evidente se mund të bashkëpunojmë në mënyrë që të
sigurojmë, sidomos bashkësisë serbe në Kosovë dhe Metohi, e cila për herë të
parë do të jetë e mbrojtur tërësisht, do të ketë një marrëveshje në kuadër të
Bashkimit Evropian, t'i mundësojmë që të jetojnë më mirë dhe të kuptojnë se
askush nuk i ka lënë, askush nuk i ka harruar.
Të kenë rregulla të tyre se si do të jetojnë, të kenë sistemet e tyre të
drejtësisë dhe në një mënyrë të jenë të lidhur me Prishtinën si, sipas nesh,
pjesë të territorit të Republikës së Serbisë, për çka do të miratojmë një ligj
të posaçëm kushtetues".
As pas këtij takimi nuk është sqaruar shumë rreth pengesës kryesore për të
arritur marrëveshje për komunat me shumicë serbe, e ajo është tema rreth
kompetencave eventuale të tyre. "Varet se çfarë kuptoni me fuqitë ekzekutive:
Ajo bashkësi nuk mund të miratojë ligje, por mund të sjellë rregulla në kuadër
të ligjeve.
Fundi i fundit edhe në Evropë pothuajse të gjitha shtetet i kanë ligjet e tyre,
të cilat nuk dallojnë shumë nga njëra-tjetra. Por ekzistojnë shumë bashkësi të
tilla, të cilat jetojnë krejtësisht në paqe dhe të sigurta dhe ne po ashtu
kërkojmë që rregullat e tilla të zbatohen edhe për bashkësinë serbe në Kosovë
dhe Metohi", tha Nikoliq, duke u përgjigjur në pyetjen se a do të ketë fuqi
ekzekutive asociacioni i komunave serbe, të cilin Beogradi e quan bashkësi.
I pyetur se a mund të presim që më 20 mars të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet
Beogradit dhe Prishtinës, Nikoliqi u përgjigj: "Unë mendoj se mund të presim
edhe pak bisedime me Bashkimin Evropian dhe nëse gjithçka do të jetë gati për
20 mars, do të nënshkruhet më 20, e nëse do të jetë gati për 28 do të
nënshkruhet më 28. Por është e qartë se gjërat janë afruar shumë, dhe se nga
një qëndrim shumë i fortë i Prishtinës është arritur deri tek ajo që me
optimizëm mund të presim ditët në vijim", tha ai.
Në anën tjetër, në BE pohojnë se koha është duke skaduar dhe, duke marrë
parasysh se po afrohet edhe festa e Pashkëve, duhet sa më parë të arrihet
marrëveshje për veriun, në mënyrë që të ketë sadopak gjasa për datën për nisjen
e negociatave të anëtarësimit për Serbinë dhe mandatin për nisjen e përgatitjeve
për negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën.
Pas takimeve që tash Ashton do t'i ketë të enjten në Prishtinë pritet që javën
që vjen, më datën 20, në Bruksel të zhvillohet edhe raundi i ri i dialogut
ndërmjet dy kryeministrave, Thaçi dhe Daçiq. Në BE pohojnë se "parametrat janë
afruar shumë për një marrëveshje", por ende nuk duan të japin hollësi të saj. (kd)