VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

WOLFARTH - VOTIMI I 16 VJEÇARËVE I MUNDUR VETËM MË 2017

E Martë, 03.12.2013, 04:32pm (GMT1)



Tiranë - 16-vjeçarët drejt kutive të votimit? Ndoshta në 2017-n, sipas ambasadorit të OSBE-së, Ojgen Volfart. Idea e lançuar nga kryeministri për t'i dhënë të drejtën e  votës edhe rreth 100 mijë të rinjve nga mosha 16 në 18 vjeç, duket e pazbatueshme për 3 muajt e mbetur, për ambasadorin e OSBE-së. Diplomati vë theksin tek stabiliteti si dhe kujton tentativën për ndërrimin e emrit të  komunës Liqenas, një çështje e dorës së dytë, por që nuk arriti të sigurojë konsesusin mes politikës.

"Ndoshta do të ishte e zbatueshme në zgjedhjet e 2017-s, sepse asgjë nuk është e pandryshueshme. Çdo gjë mund të diskutohet në publik dhe Parlament. Por mendoj se nuk ka kohë për këto zgjedhje  sepse jemi vetëm 3 muaj larg dhe është e rëndësishme të kemi  një situatë të qëndrueshme para tyre e të mos bëjmë ndryshime. Ju po diskutoni për një çështje të tillë siç është ndryshimi i emrit të një komune, pse duhet të ndryshojë një gjë kaq e rëndësishme sa mosha disa javë para ditës së votimit?", tha Volfart.

Ndërsa për dy ish-presidentët Moisiu e Mejdani, kjo është tullumbacja e rradhës para zgjedhjeve. "Nuk po vuajmë nga ajo se moshat tona të reja nuk po marrin pjesë në votime, ne po vuajmë nga një gjë tjetër mendoj unë. Që ende  zgjedhësi shqiptar nuk është mësuar të kërkojë në radhë të parë program të detajuar nga ata që i kërkojnë votat, nuk është mësuar të kërkojë llogari për premtimet që janë dhënë, si është zbatuar", tha Alfred Moisiu, ish- president.

"Është një tezë që nuk mund të shtrohet fare tani para fushatës zgjedhore. Lidhet me një nen përkatës të Kushtetutës, natyrisht sot është bërë një zhurmë, po nga pikëpamja e përmbajtjes është dhe në respekt të konventave ndërkombëtare. Mund të arrihet qoftë me referendum, qoftë me vendimmarrjen e të gjitha forcave politike, mund të arrihet dhe tek mosha 16 vjeç, nuk është fare çështje e sotme, është një nga ato tullumbace për të krijuar një zhurmë, por që nuk lidhet me procesin aktual zgjedhor", tha Rexhep Mejdani, ish- president.

LSI nga ana tjeter e mirëpret uljen e moshës së votuesve në 16 vjeç.
Madje e kanë të sanksionuar dhe në statutin e partise. "16-vjeçarët e meritojnë të votojnë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Natyrisht që është çështje konsensusi e të gjithë palëve për të realizuar këtë gjë. Megjithatë unë jam i bindur se edhe nëse ky konsensus nuk do të gjendet për momentin  patjetër që në të ardhmen 16-vjeçarët do të kenë një rol më të madh se sa sot", tha Ilir Meta, kryetar i LSI-së.

Mosha 18- vjeçare e votuesve është sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës dhe 3 të Kodit Zgjedhor. Për të ndryshuar të parën nevojiten 94 vota, ndërsa të dytin 84.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.