VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JAMES CLAPPER - NDASITË ETNIKE DHE POLITIKE, RREZIKU MË I MADH PËR BALLKANIN PERËNDIMOR
Clapper - Të zbatohen marrëveshjet e arritura mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian

E Mërkurë, 03.13.2013, 06:12pm (GMT1)



Ndasitë e brendshme politike dhe ato etnike, do të përbëjnë rrezikun më të madh për Ballkanin Perëdnimor për vitin 2013.  Ky është vlerësimi i agjencive amerikane të zbulimit, sipas raportit të përvitshëm që ato i paraqesin Kongresit. Raporti u paraqit dje nga Drejtori i Zbulimit Kombëtar James Clapper, gjatë një senace në Komisionin e Përzgjedhur të Senatit për Çështjet e Zbulimit.

Sipas vlerësimit të agjencive të zbulimit, shtetet e të dobta të këtij rajoni vuajnë nga ngecja ekonomike, papunësia e lartë, korrupsioni dhe një shtet i dobët ligjor. Megjithëse gjendja e sigurisë në veri të Kosovës, të banuar nga shumica serbe, është përmirësuar që nga viti 2011, angazhimi diplomatik dhe ai në fushën e sigurisë i perëndimit, është i nevojshëm për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Raporti thekson se me shtimin e përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë,  egziston edhe rreziku i shtimit të dhunës nga grupet ekstremiste serbe në veri të Kosovës.  Qeveria relativisht e re e Serbisë, ndeshet me pengesa të shumta në rrugën e saj drejt përmbushjes së detyrimeve për të filluar negociatat e anëtarësimit me Bashkimit Evropian, mes të cilave është edhe gjetja e një zgjidhjeje mes pretendimit kushtetues mbi Kosovën dhe faktit që Kosova është e pavarur.

Mbikqyrja e pavarësisë përfundoi, thekson raporti, dhe qeveria e Kosovës do të synojë t'i zgjerojë instrumentat e sovranitetit mbi gjithë territorin e saj.

Në Shqipëri, sipas raportit, institucionet qeverisëse vuajnë nga korrupsioni dhe ndikimi i tepruar politik mbi to. Në muajt që i paraprijnë zgjedhjeve parlamentare të qershorit, ekziston shqetësimi i rikthimit në konfliktin e ashpër partiak që shpërtheu pas zgjedhjeve parlamentare të 2009, kur opozita i kundërshtoi zgjedhjet dhe bojkotoi herë pas here parlamentin për gati 2 vjet.
 
Në Maqedoni, raporti nuk parashikon një kthim në luftën civile të një dekade më parë, por parashikon thellimin e mëtejshëm të mosmarrëveshjeve mes dy komuniteteve shqiptare dhe maqedonase.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit dëshmoi dje në Kongres së bashku me drejtorin e ri të CIA-s, John Brennan dhe me drejtorin e FBI-së, Robert Mueller.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.