VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Hillary Clinton: Amerika nuk bën dot pa botën as bota nuk bën dot pa Amerikën
E Mërkurë, 01.14.2009, 08:16am (GMT1)

Hillary Clinton: Amerika nuk bën dot pa botën as bota pa Amerikën               

 

13 janar (Voal-online) "Amerika e vetme nuk mund t'i zgjidhë problemet më të ngutshme të botësi. As bota nuk mund të bëjë pa Amertikën." Hillary Rodham Clinton e ka shpallur sot para Komisionit të Jashtëm të Senatit vizionin e politikë së jashtme amerikane për ta marrë miratimin për Sekretare të Shtetit në administratën e Obamës. E pranishme në seancën e posaçme dëgjimore, e ulur në vende e rezervuara për senatorët ishte e bija Chelsea.

Përparësitë e ish Zonjës së Parë: "Restaurimi i fuqisë amerikane nëpërmjet një diplomacie që forcon sigurinë tonë, i bën interesat tona të përparojnë dhe i forcon vlerat tona."

"Smart Power, fuqia e zgjuar, është tërësia e mjeteve që kemi në dorë. Me smart power diplomacia do të jetë në pararojë të politikës së jashtme," ka deklaruar zonja Clinton, duke theksuar se politika e jashtme duhet të jetë e bazuar në një martesë midis parimeve dhe pragmatizmit, jo mbi një hegjemoni të ngurtë.

Në fazën aktuale çështje e dorës së parë më urgjente është Lindja e Mesme. "Teksa përqëndrohemi në Irak, Pakistan e Afganistan, duhet edhe të ndjekim aktivisht një strategji të smart power në Lindjen e Mesme që iu përgjigjet kërkesave të sigurisë të Izraelit dhe dëshirave të ligjshme politike dhe ekonomike të palestinezëve. Iranin SHBA synon ta sfidojë aktivisht për t'i dhënë fund programit të armatimeve bërthamore dhe mbështetjes ndaj terrorizmit, si dhe të bindë qoftë Iranin, qoftë Sirinë të braktisin sjelljen e tyre të rrezikshme e të bëhen aktorë konstruktivë në rajon."

Aktorë të rëndësishëm në rrafshin ndërkombëtar, sipas Clinton, janë natyrisht Rusia dhe Kina, me të cilët SHBA do të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit, kundër përhapjes së armatimeve dhe për reformën e tregjeve. Do të jetë thelbësor roli i administratës së Obamës në luftën kundër ngrohjes globale dhe ndaj ndryshimeve klimatike. Clinton ka theksuar edhe rëndësinë e grave në politikën ndërkombëtare. Ajo ka folur për një pioniere të kreditit të vogël femëror, për nënën e presidentit të zgjedhur Barack Obama, figurë e mbetur në hije në biografitë e liderit demokrat, rritur nga gjyshja e cila ka vdekur pak ditëpara zgjedhjeve. Ann Dunham, kujton Hillary, ka qenë shumë aktive në nxitjen e kreditit të vogël dhënë grave në Indonezi, ku Barack ka jetuar disa vjet. Ajo do të kishte marrë pjesë në Konferencën e OKB-së për gratë në Pekin, ku Hillary ka marrë pjesë, por është sëmurur pak para konferencës e pastaj ka vdekur pa vonuar. "Por mendimet e saj dhe puna e saj do të kujtohen edhe sepse ia ka frymëzuar mënyrën e të menduarit djalit të saj." John Kerry, kryetari i ri i Komisionit të Jashtëm në Senat, ka thënë se ratifikimi i ish Zonjës së Parë në krye të diplomacisë amerikane është e sigurtë. "Nuk ka asnjë pengesë," ka thënë ai. Votimi bëhet pasnesër dhe nëse është pozitive, siç pritet, salla e Senatit do t'ia japë miratimin përfundimtar kur është Dita e Përurimit të Barack Obamës, më 20 janar.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.