VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Fjalimi i Lamtumirës i George W.Bush drejtuar kombit: "Kombi Amerikan kurrë nuk do të lodhet, kurrë nuk do të përkulet, kurrë nuk do të dështojë"


E Premte, 01.16.2009, 10:17am (GMT1)

Presidenti Bush mban Fjalimin e Lamtumirës drejtuar Kombit Amerikan

 

Voal-online - Presidenti Geroge W.Bush iu drejtua popullit Amerikan me përshëndetjen e lamtumirës, një traditë që e bëjnë presidentët e SHBA kur mbarojnë mandatin e tyre. Në fjalën e hapjes midis të tjerave George W.Bush tha: "Të nderuar qytetarë, për tetë vjet kam pasur nderin të jem Presidenti juaj. Sonte, me zemrën e mbushur me mirënjohje, unë ju kam kërkuar edhe një herë që në rastin final të ndaj me ju disa mendime për rrugën që kemi bërë bashkë, si dhe për të ardhmen e vendit tonë."

"Pas pesë ditësh e gjithë bota do të jetë dëshmitare e vitalitetit të demokracisë Amerikane," tha Bush, " Kur presidenca do t'i kalojë një njeriu që e keni zgjedhur ju, populli Amerikan. Në shkallët e Kapitolit do të qendrojë një burrë historia e të cilit reflekton premtimin e përhershëm të vendit tonë. Ky është një moment shprese dhe krenarie për të gjithë kombin tonë. Dhe unë bashkohem me të gjithë Amerikanët duke i uruar të gjitha të mirat Presidentit të zgjedhur Obama, gruas së tij Michelle, dhe dy vajzave të tyre të bukura."

Pasi shprehu mirënjohjen për Zëvendësvpresidentin Cheney, administratën, Laurën, për vajzat, Barbara dhe Jenna, për prindërit e tij, dhe popullit Amerikan për besimin që i dha George W.Bush vazhdoi më tutje : "Këtë mbrëmje, mendimet e mia kthehen në natën e parë që unë prej kësaj shtëpie iu drejtova ju- më 11 Shtator 2001. Atë mëngjez terroristët morën jetët e gati 3000 njerëzve, që ishte sulmi më i keq kundër Amerikës që prej sulmit të Pearl Harbor...." Mua më kujtohet kur qendroja në rrënojat e World Trade Center, më kujtohet kur fola me shpirtërat trime të atyre që nuk frikësoheshin nga korridoret e mbushura me tym të Pentagonit dhe me ato bashkëshortë e bashkëshorte, burrat dhe gratë e të cilëve ishin bërë heronj në bordin e Fluturimit 93. Unë kujtoj  Arlene Howard, e cila më dha mua distiktivën e djalit të saj polic, e vetmja gjë që i kishte mbetur prej tij, të cilin unë e ruaj me kujdes.

Kur vitet kalonin, shumica e Amerikanëve iu kthyen jetës normale, që e kishin përpara 9/11, ndërsa unë kurrë më. Për çdo mëngjez merrja një pasqyrë të kërcënimeve që i vinin kombit tonë, dhe unë u betova që të bëja gjithçka që më jepte pushteti për t'ju mbrojtur.
Më tutje Presidenti Bush foli për sfidat që kishte kaluar Amerika, për krijimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, për transformimin e FBI-së, sesi Amerika me aleatët e saj tradicionalë kishin filluar mësymjet kundër terrorizmit në Afganistan, kundër Talebanëve dhe Al Qaeda-s. Duke folur për Irakun ai tha se u dëbua një diktator mizor që ishte armik i SHBA. Bush shprehu mirënjohjen për popullin Amerikan dhe për Forcat e Armatosuira të SHBA.

Më tutje Bush shtoi se demokracia Amerikane "është e bazuar në një sistem bindjesh ku liria është dhuratë universale e Zotit të Gjithëpushtetshëm, dhe se liria dhe drejtësia ndiçojnë rrugën e paqes".

" Ky besim e bën të rilindë kombin tonë", nënvizoi Bush. "Kur qytetarët jetojnë në liri, ata nuk ia japin votën liderë që udhëheqin fushata terrori. Kur njerëzit kanë shpresë në të ardhmen, ata nuk pranojnë që t'i lenë jetët e tyre peng dhunës dhe ekstremizmit. Në të gjithë botën Amerika ka promovuar lirinë dhe humanizmin, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe dinjitetin njerëzor."

"Ka disa gjëra, të cilat ndoshta do t'i kisha bërë ndryshe po të më jepej rasti. Megjithatë, unë kurdoherë kam vepruar, duke patur në mendje atë që ishte në interesin më të mirë të vendit."

Pasi kaloi me një vështrim retrosketiv të dy mandatet e tij presidenciale, George W.Bush tha : "Ndërsa vendi ynë është më i sigurt se shtatë vjet më parë, rreziku më i madh për popullin tonë mbetet një tjetër sulm terrorrist. Armiqtë tanë janë të durueshëm dhe të vendosur për të qëlluar përsëri. Amerika nuk ka bërë asgjë për ta merituar këtë konflikt." Duke shtuar se Amerikan nuk do të heqëin kurrë dorë nga vigjilenca për të mos e lejuar një tjetër sulm,

Bush vuri në dukje se " Është e pamundur që sonte  të parashikohen sfidat që kemi përpara por Amerika duhet të na a mbajë moralin tonë lart. Unë shpesh ju kam folur për për të mirën dhe të keqen, dhe kjo disave nuk u pëlqen, por e mira dhe e keqja janë të pranishëm në këtë botë ku ne jetojmë, dhe midis të mirës dhe të keqes nuk mund të bëhet kompromis. Të vrasësh në emër të një ideologjie është gjithnjë keq, për këdo, kudo dhe kurdo qoftë."

Më tutje Bush vazhdoi: "President Thomas Jefferson një herë ka shkruar,"Unë pëlqej më tepër ëndërrat për të ardhmen se historinë e të shkuarës." Dhe ndërsa unë e lë këtë shtëpi në të cilën ai jetoi dy shekuj më parë, unë e ndaj me të këtë optimizëm. Sepse Amerika është një komb i ri, gjithë vitalitet..."

Me tutje Bush tha: "Unë e kam këtë besim tek premtimi Amerikan sepse unë e njoh karakterin e popullit tonë. Ky komb i frymëzon emigrantët që të ndërmarrin çdo lloj rreziku për hir të ëndërrës të lirisë. Ky është një komb që mban qetësinë në kohët e rrerikut dhe tregon pasionin e tij për të përballuar dhimbjet. Shembujt e karakterit Amerikan na rrethojnë kudo, dhe Laura e unë disa prej tyre i kemi ftuar sonte në Shtëpinë e Bardhë".  "Dhe vyrtytet e këtyre njerëzve më japin mua një besim të patundur tek Amerika. Ky nacion kurrë nuk do të lodhet, kurrë nuk do të përkulet, kurrë nuk do të dështojë".

Fjalët përmbyllëse të fjalimit të lamtumirës ishin këto: "Ishte një privilegj për mua që një pjesë të jetës të isha Presidenti juaj. Në ditë të mira dhe të vështira. Por në çdo ditë unë kam gjetur frymëzim tek madhështia e vendit tonë, ngritur lart nga zotësia e njerëzve tanë. Unë kam qenë i bekuar të përfaqësoj këtë komb që ne e duam. Dhe unë gjithnjë do të jem i nderuar që të mbaj një titull që ka kuptim më tepër se çdo tjetër që jam qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dhe kështu, miqtë e mi Amerikanë, për herën finale: Natën e Mirë. E bekoftë Zoti këtë shtëpi dhe Presidentin që vjen. Ju bekoftë Zoti ju dhe këtë vend të mrekullueshëm. Faleminderit". /Përkth: Elida Buçpapaj

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.