VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Duke pritur Obamën - Zezakët Amerikanë me autobus në Uashington për të përjetuar historinë
E Martë, 01.20.2009, 03:48pm (GMT1)

20 janar (Voal-online) - Të etur për ta përjetuar historinë, zezakët amerikanë me autobusë kanë vërshuar drejt kryeqytetit të Amerikës, Washington D.C., ku do marrin sot pjesë në përurimin e Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama. Përurimi i presidentit të parë afrikano-amerikan do të ketë 2 milionë të pranishëm. Zezakët amerikanë iu thonë gazetarëve se ata mund ta shikonin ngjarjen në televizorë, por është krejt tjetërgjë të thithësh drejtpërdrejt ajrin e festës. "Ne duam të ndjejmë këtë atmosferë që dëshmon se Amerika nuk mbështetet në ngjyrat, por mbështetet në vlerat e njerëzve." Moti i ftohtë nuk ndikon aspak në vendosmërinë e njerëzve.

Autobusët, gjithsesi, janë mjetet më të parapëlqyera me të cilat zezakët amerikanë kanë ardhur në Washington D.C. për të marrë pjesë në kremtimet e përurimit të Presidentit të 44-t të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sepse autobusët mishërojnë një simbolikë të veçantë në lëvizjen amerikane për të drejta qytetare të njerëzve me ngjyrë. Ishte Rosa Parks ajo që mbahet si paraprirëse e kësaj lëvizje, kur ajo nuk pranoi ta lironte vendin e saj në autobus në Montgomery, Alabama, në 1955. Sipas ligjit të atëhershëm, ajo duhej t'ia lironte vendin një pasagjeri të bardhë. Në vitin 1963, dhjetëra mijë veta morën autobusa për në kryeqytetin e vendit, në të famshmin Marshimi i Uashingtonit (The March on Washington), gjatë të cilit Msartin Luther King mbajti fjalimin e tij "I Have a Dream", e konsideruar nga pothuaj të gjithë se pika më kulmore e lëvizjes për të drejtat qytetare. Veprimtarë të bardhë dhe zezakë morën autobusë në "udhëtimin e lirisë" në shtetet jugore të SHBA, për t'iu kundërvënë ligjit të segregacionit. Ata jo rrallë u ndeshën me dhunë. Në vitin 1995, një numër i madh përsëri mori autobusët për të quajturin Marshit i Një Milion Burrave në Uashington (The Million Man March in Washington), të gjithë afro-amerikanë.

 

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.