VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NË DHJETOR PËRFUNDON AUTOSTRADA 'IBRAHIM RUGOVA'

E Shtunë, 09.07.2013, 08:18am (GMT1)



Prishtinë, 7 dhjetor - Në dhjetor të këtij viti pritet të përfundojë autostrada "Ibrahim Rugova", raporton KTV. Punët janë duke u përfunduar në tri seksionet e fundit të këtij projekti: 7, 8 dhe 9. Zyrtarë të kësaj kompanie thonë se moti i mirë që po mban ua ka mundësuar që projekti të përfundojë para afatit të paraparë. Ndërkohë, kompania turke-amerikane, "Bechtel-Enka", është duke konkurruar për të fituar garën në ndërtimin edhe të projektit tjetër infrastrukturor: Prishtinë-Shkup.

Një numër i madh i makinave dhe i punëtorëve janë angazhuar për të kryer punimet finale në tri seksionet e mbetura të autostradës.

Zyrtarë të "Bechtel-Enka"-s thonë se në dhjetor gjithë autostrada do të jetë në dispozicion për t'u shfrytëzuar.

Ela Ruci, zëdhënëse e "Bechtel & Enka"-s,  ka bërë të ditur se autostrada do të përfundojë në fshatin Besi, ashtu siç është parashikuar në kontratë dhe se askush nga Qeveria nuk ka biseduar për mundësinë e vazhdimit të saj deri në Merdare.

Një ndër sfidat kryesore të pjesës së mbetur të autostradës ka qenë shtëpia e familjes Selmani në Mazgit të Obiliqit, e cila për 9 muaj sa ka zgjatur procesi gjyqësor ka sfiduar punët e kompanisë ndërtuese.

Sa i përket problemeve që kanë dalë në pjesën e Malishevës, Ruci, ka thënë se kompania është duke u angazhuar në përmirësimin e gjithë problemeve të paraqitura.

Kompania "Bechtel & Enka", të cilës nga buxheti i vendit i janë dhënë më shumë se 800 milionë euro është në garë për ndërtimin edhe të autostradës Prishtinë-Shkup, mirëpo zyrtarë të saj nuk kanë pranuar të flasin me arsyetimin se për këtë projekt është një ekip krejt tjetër që po merret.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.