VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Zëri - KOSOVA LEGALIZON KOMPANINË ILEGALE SERBE 'ELEKTROKOSMET'

E Martë, 09.10.2013, 10:14am (GMT1)


PRISHTINË - Kompania energjetike serbe "Elektrokosmet" është pranuar nga Qeveria e Kosovës që të faturojë dhe të furnizojë me energji elektrike katër komunat veriore të Mitrovicës.

Ky është "fryt" i marrëveshjes së fundit mbi energjinë dhe telekomin, arritur në Bruksel të dielën mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic.

"Elektrokosmet" është cilësuar kompani ilegale nga institucionet e vendit, e cila deri më tani i ka shkaktuar miliona euro humbje buxhetit të Kosovës, pasi përveç ndërhyrjes me energji elektrike ajo ka mbledhur fatura edhe nga banorët që janë furnizuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), njofton gazeta "Zëri".

Çështja e energjetikës dhe e telekomit, ka tri vite që po diskutohet mes Prishtinës dhe Beogradit, në Bruksel derisa të dielën e fundit është lajmëruar se është arritur një kompromis.

Por, si çdo marrëveshje paraprake edhe mbi këtë të fundit nuk janë dhënë detaje. Lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes, me ç'rast palët po vazhdojnë me versionet e tyre ndryshe prej njëra tjetrës, duke krijuar kështu konfuzion në opinionin publik.

Sidoqoftë, burime të "Zërit" në Bruksel, bëjnë të ditur se sa i përket energjetikës, palët fillimisht janë dakorduar që "Elektrokosmet" kompani energjetike serbe që operon ilegalisht në veri, tash e tutje lirshëm të faturojë dhe furnizojë me energji elektrike katër komunat veriore në Mitrovicë.

Ndërsa, mbi telekomin janë pajtuar që deri në vitin 2015 Kosova të marrë kodin e saj ndërkombëtar telefonik dhe deri atëherë operatorët ilegalë serbë të operojnë lirshëm në Kosovë.

Mbi arritjen e kësaj marrëveshjeje, më 8 shtator (diel), në orët e mbrëmjes, ka njoftuar edhe ndërmjetësuesja e bisedimeve, Catherine Ashton.

Sipas saj, ditët në vijim grupet punuese do të punojnë mbi zbatimin e marrëveshjes, për të cilën nuk ka dhënë detaje, por vetëm e ka përshëndetur.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.