VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AMERIKANËT NDEROJNË VIKTIMAT E 11 SHTATORIT 2001

E Mërkurë, 09.11.2013, 04:48pm (GMT1)


Amerikanët po nderojnë sot me ceremoni solemne në Nju Jork, Uashington dhe Pensilvani, kujtimin e viktimave të sulmeve terroriste me avion të 11 shtatorit të vitit 2001.

Presidenti Obama kryesoi ceremonitë që shënojnë përvjetorin e 12-të të sulmeve terroriste të al Kaidës, që vranë rreth 3 mijë njerëz në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe në Pentagon.

Presidenti Obama, nënpresidenti Joe Biden dhe bashkëshortet e tyre mbajtën nga oborri i Shtëpisë së Bardhë një moment heshtje në orën 8:35, koha kur avioni i parë i rrëmbyer nga terroristët goditi kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë më 11 shtator të vitit 2001. Pastaj presidenti do të marrë pjesë në një ceremoni private në Pentagon, për familjet e më tepër se 100 personave që u vranë, kur një avion u përplas në kompleksin ku ndodhen zyrat e ushtrisë amerikane.

Në Nju Jork, anëtarët e familjeve të viktimave do të lexojnë emrat e të dashurve të tyre, që u vranë kur u rrëzuan dy kullat binjake. Kjo është bërë tashmë një ceremoni tradicionale. Po ashtu do të lexohen edhe emrat e 6 personave që u vranë në sulmin me bombë të vitit 1993, po në Qendrën Botërore të Tregtisë.

Një  memorial i katërt do të mbahet në Shanksville të Pensilvanisë, ku u rrëzua avioni i linjës United Airlines, duke vrarë të 33 pasagjerët dhe 7 anëtarët e ekuipazhit. Avioni u rrëzua ndërsa pasagjerët u përpoqën të rimerrnin kontrollin nga rrëmbyesit, që mendohet se po fluturonin drejt Uashingtonit.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.