VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Bush: Largohem nga Shtëpia e Bardhë pa hidhërim
E Mërkurë, 01.21.2009, 11:40am (GMT1)

Ish presidenti Xhorxh Bush tha pas kthimit në qytetin Midlend të Teksasit se ai u largua nga Shtëpia e Bardhë pa hidhërim dhe se kthimi në shtëpinë e tij është një moment i bukur. Ai dhe zonja e tij Laura u përcoll për tek helikopteri nga Presidenti Obama dhe Zonja e Parë Mishel. Helikopteri kishte destinacion bazën ajrore  Andrew ku e priste avioni Air Force One, ishte i njëjti avion, por me emërtim tjetër, Air Force 7000, me të cilin Bush do të shkonte në Dallas në shtëpinë e tij të re.
Zoti Bush dhe zonja e tij ishin të ftuarit e nderit në një ceremoni mikpritëse të zhvilluar në qytetin Midlend pasi u larguan nga Uashingtoni pas ceremonisë së inaugurimit të presidentit Barak Obama.
Zoti Bush u tha gazetarëve duke qeshur se objektivat e tij të reja shtëpiake përfshijnë tanimë punë si korrja e barit të shtëpisë së tij.
Por duke folur me nota më serioze ai tha se ka në plan të shkruajë një libër mbi tetë vjetët e mandatit të tij.
Ish presidenti i ka lënë një sërë problemesh pasardhësit të tij, përfshirë dy luftra dhe një ekonomi në krizë.
Sipas traditës  zoti Bush i la një shënim presidentit Obama në sirtarin e një tavoline në Zyrën Ovale. Një zëdhënëse e zotit Bush tha se në këtë shënim shprehen urime për zotin Obama, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e tij.

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.