VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Shqiptarët e veriut të Mitrovicës protestuan në Prishtinë
E Premte, 01.23.2009, 07:19pm (GMT1)

 

 

(Voal-online) RTK dhe media të tjera të Kosovës bëjnë të ditur se qytetarë shqiptarë të Kosovës, të cilët banojnë në veriun e Mitrovicës, në Lagjen e Boshnjakëve, protestuan sot në orën 12.00 para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe iu kërkuan institucioneve të shtetit të Kosovës që sa më shpejt t'ua plotësojnë kërkesat e tyre. Banorë shqiptarë të kësaj lagjeje protestuan për shkak të zhvillimeve në këtë pjesë të Mitrovicës dhe sulmeve të përditshme të grupeve kriminale të organizuara nga shteti i Serbisë. "Pasi që ju nuk po na ruani, erdhëm ne që t'ju ruajmë", "Kthim të banorëve në veri", "Ndaloni strukturat paralele kriminale", janë disa nga parullat me të cilat banorët e Lagjes së Boshnjakëve protestuan para Qeverisë së Kosovës. Banorët e Lagjes së Boshnjakëve kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që sa më shpejt të dalin me një zgjidhje për veri dhe t'i plotësojnë kërkesat e tyre. Përfaqësuesit e këtyre banorëve thanë se kanë ardhur të protestojnë në Prishtinë për shkak të gjendjes së rëndë prej pas luftës. Protestuesit thanë se po të ndodhë më tej ndonjë dhunë, djegie, apo vrasje, atëherë përgjegjësia bie mbi Qeverinë dhe autoritetet ndërkombëtare në Kosovë. Me këtë protestë qytetarët shqiptarë të Kosovës të cilët banojnë në veriun e Mitrovicës, kërkuan më shumë siguri nga Qeveria e Kosovës. Fevzi Beqiri, përfaqësues i "Lagjes së Boshnjakëve", ka thënë se kemi ardhur të protestojmë para qeverisë për shkak të gjendjes së tmerrshme prej pas luftës. Beqiri tha se është kërkuar nga institucionet që sa më shpejt të dalin me një zgjidhje për veri dhe t'i plotësojnë kërkesat e tyre dhe të mos heshtin sikurse kanë heshtur që nëntë vjet që prej pasluftës.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.