VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

EVROPA E LIRË: BILL KLINTON ARRIN NË KOSOVË


E Djelë, 11.01.2009, 01:40pm (GMT1)





Që prej natës së mbrëmshme, në kryeqytet janë shtuar masat e sigurisë dhe janë intensifikuar përgatitjet për ceremoninë e sotme. Prishtina gjithandej është zbukuruar kryesisht me flamuj amerikanë dhe posterë mirëseardhjeje për ish-presidentin Klinton.

Pranë shtatores është vendosur një skenë, me mbishkrimin "Kosova nderon heroin".

Me të arritur në Prishtinë, zoti Klinton fillimisht është takuar me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Pas bisedimeve me zotin Sejdiu dhe zotin Thaçi, ish presidenti amerikan rreth orës 13:30, do të mbajë një fjalim në Kuvendin e Kosovës.

Prej andej, ish-presidenti amerikan do të niset drejt bulevardit që mban emrin e tij, për të shënuar edhe solemnisht zbulimin e shtatores.

Presidenti Klinton në Kosovë gëzon respekt të jashtëzakonshëm, për rolin që ka pasur në fushatën ajrore të aleancës veriatlantike kundër forcave serbe të sigurimit, më 1999.

Pikërisht ky rol ka bërë që figura e ish-presidentit amerikan në Kosovë të shihet si personalitet që çliroi Kosovën nga pushteti i dhunshëm i Sllobodan Millosheviqit.

Vizita e presidentit Klinton në Kosovë është e treta me radhë që prej përfundimit të luftës dhe e para që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.

 

 

 

(http://www.evropaelire.org)

 

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.