VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Ditë zie në Kosovë
E Hënë, 11.02.2009, 01:53pm (GMT1)



Autoritetet në Kosovë kanë shpallur 2 nëntorin ditë zie shtetërore për të nderuar viktimat e fatkeqësisë në lumin Tisa të Hungarisë, ku gjatë kalimit ilegal të kufirit Serbi-Hungari kanë humbur jetën 8 njerëz, ndërsa mbesin të zhdukur të paktën 7 persona të tjerë.

Flamuri shtetëror i Kosovës i ulur në gjysmështizë, mediat televizive dhe të përditshmet kosovare, që në logon dhe ballinat e tyre mbajnë një shirit të zi, si dhe pezullimi i aktiviteteve të partive politike për fushatën elektorale për zgjedhjet e nëntorit, karakterizojnë ditën e sotme në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës nisi seancën e tij plenare me një minutë heshtje, si shenjë nderimi për viktimat e Tisës.

"Ju lus që me një minutë heshtje t'i përkujtojmë viktimat e tragjedisë së lumit Tisa",
ishte fjalia me të cilën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, hapi punimet për seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.

Fundosja e barkës, në të cilën dyshohet të kenë qenë diku 16 veta, kishte ndodhur kah mesi i muajit tetor, ndërsa konfirmimet zyrtare për këtë ngjarje erdhën pas më shumë se dy javësh.

Autoritetet kosovare dhe ato hungareze, policitë e të dyja vendeve dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kishin nisur bashkëpunimin për t'i zbardhur rrethanat që shkaktuan tragjedinë dhe për t'i gjetur personat përgjegjës që organizuan kalimin.

EULEX-i bëri të ditur se, deri më tani, janë gjetur 8 trupa të pajetë, prej të cilëve 5 në pjesën serbe, ndërsa 3 të tjerë në pjesën hungareze të lumit Tisa. Zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalusi, theksoi se janë duke vazhduar punët në identifikimin e plotë të këtyre trupave.

"Për momentin janë gjetur 8 trupa, 3 në pjesën hungareze të lumit dhe 5 në pjesën serbe të lumit, që do të thotë se vazhdojnë të mungojnë 8 persona", tha Lamfalusi.

Ndërkohë, autoritetet e sigurisë në Kosovë, deri më tani, kanë identifikuar katër persona të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore, lidhur me kalimin ilegal të një grupi kosovarësh nga Serbia për në Hungari. (http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.