VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Maqedonia shndërroi në ambasadë zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë
E Martë, 11.03.2009, 06:00pm (GMT1)

 

Qeveria e Maqedonisë ka vendosur sot që ta shndërrojë në ambasadë, zyrën e saj të deritanishme ndërlidhëse në Prishtinë, ndërkohë pritet që të premten me ftesën e homologut maqedonas, Antonio Milloshoski, në Shkup të qëndrojë për vizitë zyrtare ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni

 

Ministri i Punëve të Jashtë të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, do të pritet edhe nga presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, kryeministri Nikolla Gruevski dhe nga drejtuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni.

Gjatë kësaj vizite ministri Hyseni do të finalizojë punët për hapjen ambasadës së Maqedonisë në Kosovë dhe rrumbullakimin e një varg marrëveshjesh që do të nënshkruhen midis ministrive përkatëse të dy vendeve fqinje.
Për të marrë pjesë në hapjen solemne të Ambasadës së Maqedonisë në Kosovë, javën e ardhshme në Prishtinë do të qëndroj një delegacion i Qeverisë së Maqedonisë, i kryesuar nga ministri i jashtëm Antonio Milloshoski, shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministrin Abdilaqim Ademi, ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi dhe ministri i Ekologjisë, Xhelal Bajrami.
Ambasador i parë i Maqedonisë në Kosovë pritet të jetë Todor Nanev, kryetar i deritanishëm i Komisionit maqedonas për demarkacionin e kufirit me Kosovën.
Pas hapjes së ambasadës së Maqedonisë do të pasojë nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh mes ministrive përkatëse të të dyja vendeve.

Marrëveshja e parë do t'iu takojë ministrive të Ekonomisë të dyja vendeve në fushën e energjetikës, më pas do të nënshkruhen edhe marrëveshja për pensionet dhe për bashkëpunimin policor.

Hapja e ambasadës së Maqedonisë në Kosovë ishte paraparë të ndodh gjatë javës së kaluar, por kjo u shty për shkak të një vizite të delegacionit qeveritar të Maqedonisë në Bruksel.

Deri në fund të këtij muaji Kosovën do ta vizitoj për herë të parë edhe Kryetari i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

 

(http://www.rtklive.com)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.