VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FMN MIRATOI 330 MILIONË EURO HUA PËR SHQIPËRINË
Një shumë prej 26 milionë eurosh do të lëvrohet menjëherë

E Shtunë, 03.01.2014, 08:22am (GMT1)


Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi të premten një hua për Shqipërinë me një vlerë prej  330 milionë  eurosh, (457 milionë dollarë)  për të mbështetur reformat e qeverisë.  Një shumë prej 26 milionë eurosh do të lëvrohet menjëherë.
 
David Lipton, kryetari në detyrë i Bordit Ekzekutiv të FMN-së, tha se parashikimi ekonomik për Shqipërinë për vitin 2014 pritet të përmirësohet si rezultat i  pakësimit të planfikuar të rreziqeve fiskale, shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisë dhe fillimit të reformave strukturore. Megjithatë, sipas zyrtarit të FMN-së,  rreziqet janë të larta dhe nevojat për rifinancimin e borxhit të mëdha. Kjo marrëveshje, tha zoti Lipton, do ta ndihmojë Shqipërinë të plotësojë detyrimet e saj të jashtme financiare, duke ofruar nga ana tjetër, mbështetjen e nevojshme për të forcuar politikat e brendshme fiskale.  Sipas zyrtarit të lartë të FMN-së, ristrukturimi finannciar duhet të synojë uljen e borxhit publik nën 60 për qind të PPB. Sipas FMN-së, arritja e këtij objektivi kërkon marrjen e masave të forta në politikën e taksave dhe atë të shpenzimeve. (za)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.