VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LIMAJ E KRASNIQI ZYRTARISHT ME PARTI TË RE
Në kryesi edhe Ilaz Sherifi, Imri Ilazi, Xhevat Bislimi, Izet Ibrahimi, Sejdulla Hoxha, Muharrem Kuçi e Haxhi Shala

E Shtunë, 03.01.2014, 10:13am (GMT1)


Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, zyrtarisht të premten është bërë hapja e Nismës për Kosovën, subjekti më i ri politik në Kosovë, i themeluar nga dy ish-anëtarë të PDK-së, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj.

Në praninë e një numri të konsiderueshëm të qytetarëve në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, është bërë zyrtarisht fillimi i funksionimit të këtij subjekti politik.

Kryetari i kësaj partie është emëruar Fatmir Limaj, kurse, kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi është emëruar kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën.

Në fjalën e tij, Limaj deri sa ka ftuar qytetarët t'i bashkohen subjektit të cilin do ta drejtojë, ka thënë se "Kosova nga sot do të ketë një alternativë të re politike. Ju ftoj të bashkoheni me Nismën sot, për ta ndryshuar të ardhmen tonë".

Ai ka shtuar se "Kosova nuk është në rrugë të mirë, qytetarët e saj janë lodhur, qytetarët janë lodhur nga iluzionet dhe demagogjia, nga premtimet boshe nga pritjet pakufi dhe nga pasiguria për të ardhmen".

Kurse Jakup Krasniqi në cilësinë e kryetarit i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën ka lexuar programin e partisë, ku mes tjerash ka pëmendur çështjet më të ndjeshme, që nga fati i personave të pagjetur e deri te problemet ekonomike, arsimore e shëndetësore.

"Ne duhet të forcojmë shtetin tonë,sepse vetëm kështu do të zhvillojmë vendin,se vetëm kështu qytetari ynë kudo që të jetë do të jetë krenar e i dinjitetshëm në shtetin e vet. Nisma për Kosovën do të sigurojë të gjitha kushtet politike dhe materiale për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në terë vendin", ka thënë Krasniqi.

Përpos Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit, kryesia e kësaj partie është e përbërë nga: Ilaz Sherifi, Imri Ilazi, Xhevat Bislimi, Izet Ibrahimi, Sejdulla Hoxha, Muharrem Kuçi dhe Haxhi Shala.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.