VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kuvendi jep dritën jeshile që Shqipëria të kandidojë për në BE
E Enjte, 01.29.2009, 06:26pm (GMT1)

(Voal-online)- Kuvendi i Shqipërisë miratoi, me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm rezolutën për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ligjvënësi miratoi rezolutën me 91 vota, duke ia lënë kështu radhën qeverisë të gjejë momentin e përshtatshëm për të aplikuar për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Kuvendi nuk i mori parasysh vërejtjet dhe propozimet e Komisionit të Integrimit i cili vendosi një ditë më parë t'i bëjë rezolutës disa shtesa. Me kërkesën e tij Rezoluta i shkoi Komisionit të Integrimit për të dhënë dhe ai mendimin, apo propozimet për këtë dokument. Madje ky komision kishte miratuar të tjera shtesa me konsensusin e të gjitha forcave politike pjesëmarrëse në të. Komisioni i Jashtëm ra dakord një javë më parë të përfshijë në projektin e përbashkët dhe përkushtimin për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe mos përcaktimin e një afati për të aplikuar për statusin e vendit kandidatë për në Bashkimin Europian.  Propozimet ishin bërë nga anëtarët e Partisë Socialiste në komision. Rezoluta nxit forcat politike dhe mirëpret që Parlamenti Europian, vendet anëtare dhe institucionet e tjera të Bashkimit Europian të marrin në konsideratë vendosmërinë dhe pajtimin që ekziston mes të gjitha forcave politike në lidhje me integrimin e vendit.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.