VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PD - NIS ZGJEDHJA E DREJTUESVE TË RINJ LOKALË

E Djelë, 04.13.2014, 07:02am (GMT1)


Në Shqipëri partia demokratike njoftoi nisjen e fushates për zgjedhjet e drejtuesve të rinj lokal. Kjo fushatë vjen pasi forca kryesore e opozitës pasi përmbylli regjistrimin e të gjithë anëtarësisë së saj. Kryetari Lulzim Basha njoftoi se procesi i zgjedhjeve të drejtuesve të rinj do të shoqërohet edhe me analizën e humbjes së demokratëve më 23 qershor pas tetë vitesh në pushtet.
 
Pas më shumë se 9 muajsh që kur doli në opozitë, partia demokratike do të nisë ripërtëritjen e drejtuesve të saj në të gjitha nivelet, duke nisur nga më të ultat deri ato më të larta lokale.
 
"Kam kënaqësinë të njoftoj çeljen e një etape të re të projektit tonë të ringritjes dhe modernizimit të partisë: zgjedhjet në nivel seksionesh, grupseksisonesh dhe degësh. Për këtë qëllim, bazuar në statutin e Partisë Demokratike, pas konsultimesh të gjera dhe duke marrë parasysh sfidat politike që kemi përpara, kam lëshuar udhëzimin e posaçëm për fillimin dhe zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. Udhëzimi që kam lëshuar garanton garë, solidaritet, vlerësim të kontributeve dhe rezultateve, hapje dhe përtëritje, qarkullim të drejtimit dhe elitave në përputhje me filozofinë e partive popullore ku bëjmë pjesë", shpjegoi kryetari demokrat Lulzim Basha.
 
Kjo fushatë pason përfundimin e procesit të regjistrimit dhe anëtarësimeve të reja në partinë demokratike, kryetari i së cilës, Basha, bëri që në fillim thirrje për një hapje të partisë edhe ndaj atyre që në vite ishin tërhequr nga angazhimet e tyre politike në radhët e demokratëve.
Fushata e zgjedhjeve të drejtuesve të rinj, sic njoftoi kryetari Basha, do të shoqërohet edhe me analizën e humbjes së 23 qershorit, një humbje e thellë për të djathtën pas 8 vitesh në pushtet. "Le të vëmë gishtin me drejtësi dhe objektivitet mbi shkaqet reale të rezultateve në zgjedhjet  e shkuara. Le të diskutojmë e debatojmë në mënyrë të qytetëruar. Le të reflektojmë e nxjerrim mësimet e duhura   në funksion të ringritjes", tha zoti Basha.
 
Procesi i analizës dhe i zgjedhjes së strukturave të reja në partinë demokratike u shty disa herë. Fillimisht ishte njoftuar se do të niste në shtator, më pas në dhjetor, por vetëm tani demokratët arritën të mbyllin regjistrimet e anëtarëve.
 
Pritet që procesi i zgjedhjes së drejtuesve të rinj të mbyllet brenda 45 ditësh, për t'i hapur më pas rrugë thirrjes së Kuvendit kombëtar që do të cojë në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit kombëtar nga kus do të dalë edhe kryesia e re dhe figurat që do të jenë bashkëpunëtorët e ngushtë të kryetarit Basha.za

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.