VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ALEANCA KUQEZI NESËR PROTESTË KUNDËR MINISTRIT TAHIRI - TA LARGOJMË AVOKATIN E GARDIANËVE GREKË

E Djelë, 04.13.2014, 10:43am (GMT1)



TIRANË Aleanca Kuq e Zi paralajmëron një protestë, të hënën në orën 13:00, përpara Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, kundër dhunës së ushtruar nga policia në protestën e zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet, për vrasjen e të burgosurit Ilia Kareli në Greqi.

Kryetari i AK-së, Kreshnik Spahiu u bëri thirrje aktivistëve të Aleancës dhe qytetarëve që të mblidhen në një protestë paqësore për të kërkuar largimin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Sipas Spahiut, ministri Tahiri tregoi se është avokat i gardianëve grek, që torturuan deri në vdekje një shtetas shqiptar.

PROTESTA E PERLESHJET NJE DITE ME PARE
Qindra të rinj, kryesisht anëtarë të "Tifozëve Kuq e Zi" dhe aktivistë të Aleancës Kuq e Zi u hodhën pasditen e djeshme në protestë për torturimin deri në vdekje të shqiptarit Ilia Kareli në burgun grek të Nigritas.

Me flamuj shqiptarë në duar, protestuesit kanë kënduar Himnin Kombëtar e ndërkohë kanë grisur një flamur grek dhe më pas i kanë vënë zjarrin. Protesta ka nisur para Piramidës dhe më pas është zhvendosur në Rrugën e Kavajës, pranë bllokut të ambasadave. Pikërisht aty, pjesëmarrësit në tubim kanë nisur të protestojnë e të thërrasin në kor, deri dhe me fjalë fyese kundër shtetit grek.

Menjëherë kanë ndërhyrë forcat e repartit special "Shqiponja", të cilët kanë përdorur edhe shkopinjtë e gomës për shpërndarjen e protestuesve. Për pasojë janë lënduar 16 protestues. Ndërsa janë shoqëruar 26 të tjerë, mes të cilëve kreu i Rinisë së Aleancës Kuq e Zi, Ardit Mekshiqi dhe nënkryetari i AK-së, Albert Mesiti. Burime nga policia deklaruan se organizatorët e protestës akuzohen për "Grumbullim të paligjshëm".
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.