VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ATHINË - EMIGRANTËT SHQIPTARË PROTESTË PËR TOPONIMET PARA PARLAMENTIT

E Mërkurë, 04.16.2014, 03:16pm (GMT1)



ATHINË - Emigrantët shqiptarë zhvilluan një protestë para Parlamentit grek në Athinë, për të kërkuar zgjidhjen e problemit të toponimeve në pasaportat e fëmijëve të tyre të lindur në Greqi.

Dhjetëra shqiptarë u mblodhën në qendër të Athinës duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme të çështjes dhe përfaqësuesit e tyre i dorëzuan një peticion ministrit të jashtëm grek Evangelos Venizelos.

Tubimi u zhvillua me inisiativën e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi mbështetur nga shumë shoqata të tjera shqiptarësh në Athinë, Salamina dhe Korinth, si dhe nga organizata Antiraciste greke "Nisma të Bashkuar Kundër Racizmit dhe Kërcënimit Nazist".

Të pranishmit i kanë bërë thirrje drejtuar qeverisë greke, asaj shqiptare dhe gjithë organeve kompetente për një marrëveshje urgjente, në dobi të fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi.

U vu re një pjesëmarrje e kufizuar e emigrantëve, ndoshta për shkak të vendimit të dy ditëve më parë të ministrisë së Rendit Publik, për qarkullim të lirë të tyre deri më 5 maj.

Organizatat shqiptare në emigracion thanë se janë të vendosura të vazhdojnë përpjekjet për të kërkuar e kontribuar në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, që prek qindra familje shqiptarësh që jetojnë në Greqi.
BW
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.