VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHBA - SANKSIONE NDAJ MOSKËS NËSE SHKELET MARRËVESHJA

E Shtunë, 04.19.2014, 07:31am (GMT1)


Administrata Obama po paralajmëron Rusinë se mund të ndeshet me sanksione të reja nëse nuk respekton marrëveshjen ndërkombëtare për Ukrainën, ose nëse sjell forca pranë kufirit me Ukrainën lindore.

Këshilltarja e Presidentit Barack Obama, Susan Rice tha në komentet për shtyp në Shtëpinë e Bardhë dje se Shtetet e Bashkuara e kanë thënë qartë se Uashingtoni dhe partnerët evropianë mbeten të përgatitur për të vendosur sanksione shtesë kundër Moskës nëse ajo nuk përmbush detyrimet e saj.

Ajo tha se "në rast të një shkallëzimi dramatik" si lëvizje trupash, këto kosto dhe sanksionet e reja mund të përfshijnë vënien në shenjestër të "sektorëve shumë të rëndësishëm" të ekonomisë ruse.

Zonja Rice ritheksoi komentet e mëparshme të zëdhënëses së Departamentit të Shtetit Jen Psaki se Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia ka përgjegjësinë të përdorë influencën e saj për të frenuar dhe tërhequr ekstremistët pro-rusë që kanë zaptuar ndërtesa në Ukrainën lindore.

Por udhëheqësi ekstremist pro-rusë Denis Pushilin në Ukrainën lindore tha më parë se njerëzit e tij nuk kanë detyrime në bazë të ndonjë marrëveshjeje specifike dhe nuk do të tërhiqen deri kur të japë dorëheqjen qeveria ukrainase.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.