VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NËNPRESIDENTI JOE BIDEN NISI VIZITËN NË UKRAINË

E Hënë, 04.21.2014, 05:10pm (GMT1)


Nënpresidenti amerikan Joe Biden mbërriti në Ukrainë sot për bisedime me presidentin dhe kryeministrin në detyrë ndërsa situata në lindje vazhdon të mbetet e tensionuar  megjithë arritjen e një marrëveshjeje javën e kaluar që synon të lehtësojë krizën.
 
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se zoti Biden do të diskutojë  rreth përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të ndihmuar Ukrainën të ecë përpara me reformën kushtetuese dhe për organizimin e  zgjedhjeve të lira dhe të drejta të 25 majit.
 
Bisedimet do të përqëndrohen gjithashtu në situatën në Ukrainën lindore ku një armëpushim i arritur dje për Pashkët zgjati vetëm disa orë para se të shkelej nga një shkëmbim zjarri në një pike kontrolli në qytetin pro-rus të Slavianskit.  Tre persona gjetën vdekjen. Nuk është e qartë se çfarë ndodhi ekzaktësisht.
 
Ukraina fajëson forcat speciale ruse për sulmin. Por ministri i Jashtëm Sergei Lavrov akuzoi qeverinë ukrainase se nuk po kontrollon ekstremistët që ai thotë se po qëllojnë mbi civilët e paarmatosur.
 
Zoti Lavrov tha sot se Ukraina po shkel hapur marrëveshjen e javës së kaluar në Gjenevë që u bën thirrje të gjitha grupeve të armatosura ilegalisht në lindje të çarmatosen dhe të largohen. Marrëveshja bën thirrje gjithashtu për një mision vëzhguesish evropianë.  
 
"Ky është një krim,  nga i cili përfitojnë vetëm ata që kërkojnë anulimn e zbatimit të marrëveshjeve të Gjenevës. Dhe çdo gjë thekson faktin se autoritetet e Kievit nuk janë në gjendje ose ndoshta nuk duan të kontrollojnë ekstremistët që vazhdojnë të sundojnë atje".
 
Megjithatë, demonstruesit pro-rusë që kanë marrë nën kontroll ndërtesat qeveritare në dhjetra qytete ukrainase në lindje nuk kanë treguar deri tani shenja tërheqjeje.
 
Zoti Lavrov tha se Shtetet e Bashkuara duhet të njohin përgjegjësitë e tyre për krizën në Ukrainë përmes mbështetjes që po i japin qeverisë së re të vendit.  Ai tha se përpjekjet për të izoluar Rusinë përmes sanksioneve do të dështojnë duke shtuar se shumica e botës nuk kërkon të izolojë Rusinë.
 
 
"Para se të na japin ultimatum dhe të na kërcënojnë me sanksione, ne do t'u kërkonim partnerëve tanë amerikanë të merrnin përgjegjësitë e tyre të plota për ata që sollën në pushtet dhe të cilët po përpiqen t'i mbrojnë duke bërë një sy qorr për krimet e kryera nga ky regjim dhe luftëtarët tek të cilët ata mbështeten".
 
 
Demonstruesit pro-rusë në Ukrainë po kërkojnë të drejtën për të mbajtur referendum për t'u shkëputur nga Ukraina dhe për t'u bashkuar me Rusinë. Një votim i tillë muajin e kaluar në Krime çoi në aneksimin e gadishullit ukrainas nga Rusia.za

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.