VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DEKLARATË PËR MJETET E INFORMIMIT E SHOQATËS 'ATLANTIKU' ME SELI NË NEW YORK TË SHBA-së

E Mërkurë, 04.23.2014, 07:43am (GMT1)




Në mbledhjen e saj mbajtur me 22 prill 2014 në New York Kryesia e Shoqatës "Atlantiku", e cila përfshinë veteranët e Batalionit "Atlantiku" që luftoi në kuadër të UÇK-së për çlirimin e Kosovës dhe qindra simpatizues shqiptaro-amerikanë në mbarë Amerikën, vendosi të dalë me këtë deklaratë për media mbi planin për Gjykatën Speciale kundër Krimeve të Luftës në Kosovë.

Ne si shqiptaro-amerikanë iu bashkëngjitëm luftës së UÇK-së dhe NATO-s kundër regjimit pushtues serb për të ndaluar që populli shqiptar të vazhdonte të ishte viktimë e fashizmit të Milosheviqit. Agresori në Kosovë ka qenë shteti serb dhe shteti serb duhet të jep llogari për vrasjet, dëmet dhe shkatërrimet që solli lufta. Në historinë e luftërave çlirimtare nuk ka ndodhur ndonjëherë të themelohet Gjykatë Speciale për palën çlirimtare, por për atë agresore dhe pushtuese. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë që ka respektuar të gjitha ligjet dhe konventat ndërkombëtare dhe ka kaluar edhe nëpër shoshitjen e drejtësisë ndërkombëtare në sistemin e Tribunalit të Hagës, prandaj formimi i një Gjykate Speciale për Kosovën është një sulm politik që si qëllim ka kontrollimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës, disiplinimin dhe frikësimin e popullit të saj që të veprojë duke u bazuar në vullnetin dhe të drejtat e tij sovrane. Mijëra krime serbe në Kosovë kanë mbetur të pa hetuara. Këto krime dhe krimet nga kushdo qoftë duhet të hetohen dhe gjykohen nga sistemi i drejtësisë së Kosovës. Mos lejoni lojëra politike me luftën çlirimtare dhe sakrificat titanike të popullit shqiptar për liri sepse kështu do të preket e kaluara e lavdishme por edhe e ardhmja e Republikës së Kosovës. UÇK dhe NATO kanë qenë aleate në çlirimin e Kosovës dhe asnjëra nuk kanë kryer krime lufte. Ne si organizatë e veteranëve të luftëtarëve të UÇK-së nga Amerika i themi JO Gjykatës Speciale dhe thërrasim deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe sidomos qeveritarët e Kosovës të mos i nënshtrohen imponimit të askujt dhe t'i thonë JO Gjykatës Speciale.

Kryesia e Shoqatës "Atlantiku"

New York
SHBA


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.