VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KUVENDI I KOSOVËS MIRATON THEMELIMIN E GJYKATËS SPECIALE

E Mërkurë, 04.23.2014, 01:24pm (GMT1)


Kuvendi i Kosovës ka miratuar themelimin e Gjykatës speciale për krimet e luftës dhe ka vendosur t'ia vazhdojë mandatin misionit të EULEX-it edhe për dy vjet të tjera.

Vendimi është marrë me 89 vota për, 22 kundër dhe 2 abstenime përmes miratimit të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Gjatë fjalimit të tij para Kuvendit, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për themelimin e Gjykatës për krime lufte është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që i bëhet Kosovës.

"UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë dhe ka respektuar normat ndërkombëtare. Pikërisht për këtë shkak Kosova u ndihmua nga aleatët ndërkombëtarë dhe e fitoi luftën çlirimtare", ka thënë Thaçi.

Ai ka pranuar se kjo Gjykatë po themelohet si pasojë e raportit të Dick Martyt të miratuar nga Këshilli i Evropës, të cilin e vlerësoi si të dyshimtë dhe me pretendime të paqëndrueshme.

Institucionet e Kosovës kanë qenë të përjashtuara nga puna e "˜task forcës' që hetoi pretendimet e Dick Martit, ka theksuar Thaçi.

Sidoqoftë, Thaçi ka përsëritur qëndrimin e tij të shprehur këto ditët e fundit, se pavarësisht kësaj padrejtësie, siç po e quan ai, institucionet e Kosovës duhet të themelojnë këtë gjykatë.

"Sot nuk kemi dy opsione. Kemi vetëm një opsion. E ky është vazhdimi i bashkëpunimit  me SHBA-të dhe BE-në, që nënkupton se duhet të themelojmë këtë gjykatë", është shprehur  Thaçi.
 
Çdo opsion rezervë, sipas tij, nuk duhet të merret në konsideratë, sepse dështimi i themelimit të kësaj gjykate në Kuvend do t'i mundësonte Këshillit të Sigurimit që të miratonte këtë institucion nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara.

Gjatë prezantimit të pozicioneve të tyre, vetëm Lëvizja Vetëvendosje është pozicionuar kundër themelimit të Gjykatës së veçantë për krime lufte, ndërkaq partitë tjera e kanë mbështetur atë.

Në këtë seancë, Partia Demokratike e Kosovës ka dalë edhe me propozimin që Kuvendi të marrë vendim për themelimin e një fondi, përmes së cilit Qeveria e Kosovës me buxhetin e shtetit do t'i mbulonte të gjitha shpenzimet e pjesëtarëve të UÇK-së gjatë proceseve gjyqësore që do të ngriten ndaj tyre nga gjykata e veçantë.

Deri tani ky mbeti vetëm propozim që mund të shqyrtohet më vonë.

Krahas miratimit të themelimit të gjykatës speciale për krimet e luftës dhe mandatit të EULEX-it, Kuvendi me procedura të shpejtuara po miraton edhe ndryshimet në 12 ligje, me të cilat do të merren disa kompetenca nga misioni i EULEX-it.

Ndryshimet e këtyre ligjeve pritet të bëhen me procedura të shpejtuara përmes shmangies së rregullores së punës.rel

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.