VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FATMIRA HAJDARI - ABSOLUTISHT QË DUA TË RIHAPET DOSJA PËR AZEMIN! ATË NATË AZEMIN E NXORI NGA PD IZET HAXHIA (Intervistë)

E Enjte, 07.17.2014, 07:16am (GMT1)



Mira Kazhani e DITA-s ka zhvilluar dje një bisedë me Fatmira Hajdarin, bashkëshorten e Azem Hajdarit sot gjyqtare, lidhur me reagimet e shumta pas intervistës që gazetarja realizoi pak ditë më parë me Jaho Mulosmanin të dënuarin me 101 vjet burg për vrasjen e deputetit.

Znj.Hajdari tregon se si dikush i ka dërguar një link të intervistës së Mulosmanit të cilën ajo nuk e ka çuar deri në fund "Kjo është një temë për të cilën nuk kam më dëshirë të flas" thotë ajo.

Më pas shton edhe një detaj tjetër: "...Në mos një ditë një tjetër Azem Hajdarin do e vrisnin. Une e kam ditur, Azemi e ka parandjerë këtë. Më thoshte gjithmonë se ai nuk do jetonte më shumë se 35 vjet... Ashtu ishte ajo kohë. Azemi ishte idealist, e them gjithmonë. Nuk e dinim ne çfarë ishte demokracia. Nuk e dinte as Azemi, i cili babain e kishte 30 vjet komunist...."

Më poshtë, një pjesë e bisedës që mund të lexohet sot e plotë në DITA


M.KAZHANI: Fatmira, pas asaj interviste pati komente, lumë. Disa mbrojnë Jaho Mulosmanin, disa mallkojnë Sali Berishën, disa edhe mua, por kishte po kaq shumë disa, që ju përveshën emrit tuaj, u morën me ju. Shkruanin se ju kishit përfituar nga vdekja e bashkëshortin tuaj, se ajo vrasje ju bekoi me pasuri, se ju qepët gojën për të mirën materiale dhe shumica e komenteve legjitimonin si ta pafajshëm, Jaho Mulosmanin i cili gjithashtu ju akuzoi direkt se nuk jeni e interesuar për hapjen e dosjes Hajdari? A mund të rrini ju pa folur në një çast të tillë. Vetëm që të mos rihapni plagën nuk do donit të rihapnit dosjen?

F.HAJDARI:
Kurrë Mira, nuk kam thënë që ajo dosja është në rregull. E kam kërkuar gjithmonë rihapjen e dosjes, jo për të mësuar kush e vrau. Unë dhe fëmijët e mi nuk merremi as më vrasësit dhe as me të akuzuarit si vrasës të Azemit. Unë dua që ajo dosje të rihapet për të ndryshuar motivacionin. Azemi ishte një vrasje politike. Ai u vra në oborrin e PD. Absolutisht që dua të rihapet dosja!

M.KAZHANI: A i keni kërkuar Sali Berishës kur ishte në pushtet ndonjëherë që të bënte përpjekje për të ndryshuar motivacionin? I keni kërkuar ndihmë për hapjen e dosjes. Ose thjesht t'ja parashtronit si një merak tuajin?

F.HAJDARI:
Jo, asnjëherë. Kështu privatisht nuk ka rënë fjala kurrë. Por ai e di që unë e kam dashur, sepse e kam thënë publikisht. Në këto kushte që jemi nuk mendoj që dosja ka hapësirë ligjore që të rihapet. Vetëm në rast se del ndonjë provë e re. Vetëm gjykata e lartë e ka në dorë këtë.

M.KAZHANI: A mund të quhen prova të reja disa deklarata të Mulosmanit?

F.HAJDARI:
"Më duhet ta lexoj atë intervistë që të di çfarë është thënë. Por e marr me mend çfarë mund të jetë thënë. E di si gjyqtare se çfarë do të thotë të jesh në burg përjetë. Është diçka e rëndë dhe aspak e lehtë për t'u gëlltitur. Mund të duket e pabesueshme por mua më vjen keq. Nuk mërzitem as nëse ai ka folur diçka që mund të tingëllojë kundër meje. Kur je i dënuar përjetë nuk di ç'flet. Mund të ketë edhe të drejtë dhe sigurisht që do të përpiqet për pafajësinë e tij. Por tani ajo histori dihet si ishte. Për mua nuk ka rëndësi kush ka qëlluar....

M.KAZHANI: Jaho Mulosmani këmbëngulte të dinte se kush ishte njeriu që e nxori jashtë Azem Hajdarin? Nënkuptonte se ky mund të ketë qenë vetëm Sali Berisha...

F.HAJDARI:
Oh, Ajo dihet se kush e nxori. Azemin e nxori Izet Haxhia jashtë. Nuk është ndonjë sekret... Siç edhe ta thashë, kjo është një histori që nuk zgjidhet me intervista. Fëmijët e mi nuk kanë hasmëri me askënd....

 
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.