VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Updated - PUNIMET E KUVENDIT VAZHDOJNË - KRYETAR I KUVENDIT TË KOSOVËS ZGJIDHET ISA MUSTAFA
VV abstenoi

E Enjte, 07.17.2014, 11:32am (GMT1)




Prishtinë, 17 korrik Pas ndërprerjes së mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, për mungesë forumi, kur në sallë kishin mbetur vetëm 47 deputetë, meqë të tjerët e kishin braktisur sallën, ka rinisur mbledhja me 83 deputetët e grupeve të tjera parlamentare.

Mbledhjen po e drejton deputetja Teuta Rugova, e cila konstatoi se kishte numër të mjaftueshëm deputetësh për të vazhduar mbledhjen.

Ndërkohë ftoi deputeten më të vjetër, Milka Vulliq, që të marrë drejtimin e seancës.

Nga votimi kandidati i LDK-AAK-NISMA, z. Isa Mustafa, mori 65 vota, duke u zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën V.

Kryesimin e seancës e mori kryetari i sapozgjedhur, i cili i falënderoi deputetët për detyrën që ia ngarkuan. Z. Mustafa e mbylli seancën, duke thënë se pikat e tjera të rendit të ditës do të trajtohen në një seancë tjetër dhe duke iu uruar deputetëve shëndet e suksese.

--


Shumë paqartësi kanë përcjellë pjesën e parë të seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës.

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, gara kryesore po zhvillohet për atë se cili është grupi më i madh parlamentar; ai i Partisë Demokratike të Kosovës, apo ai i koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Po ashtu, ajo që binte në sy qysh në fillim të seancës ishte edhe ulja e deputetëve nëpër vendet e tyre, sidomos deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës të cilët janë ulur në rreshtin e mesëm, ku edhe është përcaktuar vendi për grupin më të madh parlamentar.

Përcaktimi i Grupit më të madh parlamentar i jep të drejtën të njëjtit grup që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Rreth kësaj pike ka shumë përplasje dhe mospajtime.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se për një kontest kur dy a më shumë subjekte mendojnë se kanë të drejtë duhet të zgjidhet në Gjykatën Kushtetuese.

Sapo të përfundojë kjo seancë, PDK do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë që, me shumë vërejtje me mënyrën se si deputetja e PDK-së, Flora Brovina, po udhëheq seancën, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka dalë në foltore.

Ajo është thirrur në rendin e ditës që kishte përcaktuar Kryesia e kaluar e Kuvendit, ku koalicioni paszgjedhor LDK, AAK dhe Nisma njihej si grupi më i madh parlamentar.

Në emër të këtij rendi të propozuar, deputetja Vjosa Osmani propozoi liderin e LDK-së, Isa Mustafa, për kryetar të Kuvendit. Por, kryesuesja Brovina nuk ka lejuar që të kalohet në procedurën e votimit dhe ka shpallur një pauzë.

Gjendja është mjaftë e paqartë dhe gjithçka po zhvillohet sipas një skenari që po udhëheqë deputetja e PDK-së, Flora Brovina.

Gjatë kësaj pauze, koalicioni LDK, AAK dhe Nisma duke pas parasysh që Kuvendi kishte kuorum dhe deputetët ishin betuar, provoi të marrë udhëheqjen e seancës përmes deputetes më të re, Teuta Rugova. Megjithatë, me të parë këtë tendencë, Flora Brovina është kthyer dhe është ulur në vendin e kryesuesit të seancës dhe nuk ka pranuar të largohet nga aty.

Para se të shpallej pauza, Kuvendi ka miratuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve si dhe është bërë betimi i deputetëve. Kurse, ka mbetur pa u miratuar pika kryesore e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.rel
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.