VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ISA MUSTAFA - KUSHTETUESJA S'MUND TË VENDOSË SE KUSH DO TË JETË KRYETARI I KUVENDIT

E Premte, 07.18.2014, 08:10pm (GMT1)


Prishtinë, 18 korrik 2014 - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa, tha se fare nuk frikohet nga asnjë vendim i Gjykatës Kushtetuese, sepse siç theksoi Gjykata Kushtetuese nuk vendos se si do të votojnë deputetët e Republikës së Kosovës.

"Vota e deputetëve ka ndodhur, qëndrimi i deputetëve është aty dhe kjo është çështje politike. Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet t'i frikësohemi por ato vendime duhet të jenë në harmoni me Gjykatën Kushtetuese", tha Isa Mustafa në një intervistë për gazetën Ekspres.

Sipas tij, Kushtetuta thotë që Kryetari i Kuvendit propozohet nga Grupi më i madh parlamentar, i cili është themeluar në bazë të dispozitave kushtetuese, dhe Kushtetuta nuk parasheh rrethana kur një kryesuese e Kuvendit e uzurpon dhe pengon zhvillimin e rregullt të seancës së Kuvendit.

"E kanë parë të gjithë se për rreth tri orë është penguar vazhdimi i seancës së rregullt. Ne kemi besim në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo, secili jemi të vetëdijshëm se kjo gjykatë s'merret me vlerësime politike, por merret vetëm me aspekte juridike", tha Mustafa.

Sa i përket vendimit që të mos uleshin në karriget që Kryesia dhe Sekretariati i Kuvendit i kishin rezervuar për deputetët e koalicionit, Mustafa tha se "ulëset e parapara për LDK-në ishin të uzurpuara nga PDK-ja dhe koalicioni i PDK-së dhe nuk e konsideruam që një mbledhje konstituive të Kuvendit ta shfrytëzojmë për të luftuar për karrige të Kuvendit".

Ai shtoi se nuk kanë dashur që ta shfrytëzojnë këtë situatë që të shkaktohet ndonjë "mosmarrëveshje ose konflikt për arsye të karrigeve".

Por ai konstatoi se vendet e mesit në Kuvend i takojnë grupit më të madh parlamentar dhe ky grup është ai i LDK-AAK-NISMA me 47 deputetë.

Pyetjes nëse mund të të rrëzohet prej Gjykatës Kushtetuese, Mustafa tha se nuk frikohet fare nga asnjë vendim i Gjykatës Kushtetuese. Mirëpo, sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk vendos se si do të votojnë deputetët e Republikës së Kosovës.
"Gjykata Kushtetuese s'mund të vendosë se kush do të jetë Kryetar i Kuvendit. Gjykata Kushtetuese i ka procedurat e veta dhe koalicioni mund të fuqizohet edhe më shumë. Mendoj, se nëse i hyjmë edhe një herë këtij procesi ne do të kemi më shumë se 80 vota për Kryetar të Kuvendit. Prandaj, ardhmëria e koalicionit do të jetë edhe më i fuqishëm, por nuk shoh asnjë arsye të kontestohet vullneti i 83 deputetëve të pranishëm në séance", theksoi Mustafa.

I pyetur se kur do të caktohet seanca e radhës së Kuvendit, ai tha se seanca e radhës do të caktohet më bashkëpunim me grupet parlamentare sepse fjala është për disa propozime, të cilat do t'i marrin për nënkryetarët e Kuvendit nga koalicioni LDK-AAK-NISMA, një nënkryetar nga PDK-ja, një nënkryetar nga Lista "Srpska", sepse janë zgjedhur vetëm dy nënkryetarë. Ai beson se javën e ardhshme mund të mbahet kjo seance, paraprakisht, do të flasë me grupet parlamentare që ata të japin propozimet për nënkryetarët e Kuvendit.

Duke folur rreth marrëveshjes së paralajmëruar Koalicion - VV, Mustafa tha se kishin punuar shumë dhe kishin përafrime në qëndrimet me Vetëvendosjen. "Por, ne nuk arritëm të harmonizojmë qëndrimet sepse ishte koha shumë e shkurtër sa i përket qëndrimeve tona lidhur me dialogun dhe lidhur me procedimet lidhur me privatizimin dhe marrëveshjeve lidhur me dialogun. Ne edhe më tutje duhet të bisedojmë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ka hapësirë të mëdha që t'i bashkërendisim dhe të gjejmë interesin tonë të përbashkët", tha Mustafa dhe falënderoi Vetëvendosjes siç tha "në qëndrimin shumë konstruktive që e patën dje në Kuvend dhe qëndrimi shtetformues sepse ata gjithnjë ishin prezentë aty, në të gjitha etapat e konstituimit të Kuvendit".
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.