VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ISA MUSTAFA PRANOI URIME NGA SENATORI DOLE DHE DEPUTETI GJERMAN SCHOCKENHOFF
Dole - Mustafa, lider dhe vazhdues i denjë i trashëgimisë Rugoviane

E Shtunë, 07.19.2014, 10:50am (GMT1)



Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pranoi një telegram urimi nga Senatori dhe miku shqiptar, Bob Dole. Senatori Dole e uroi Mustafën me rastin e zgjedhjes së tij në postin e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Siç njofton LDK përmes një komunikate për media, Dole gjithashtu e ka cilësuar Mustafën si "lider dhe vazhdues të denjë të trashëgimisë Rugoviane".

Ja teksti i letrës që Senatori Bob Dole i dërgon Kryetarit të Parlamentit të Kosovës

Shkëlqesisë së Tij Isa Mustafa

Kryetar i Parlamentit të Kosovës

Republika e Kosovës

Prishtinë

 

I nderuar Kryetar i Parlamentit:

 

Ju lutem pranoni përgëzimet e mia me rastin e zgjedhjes tuaj si Kryetar i Parlamentit të Republikës së Kosovës. Unë i kam ndjekur zhvillimet demokratike të vendit tuaj me shumë interes dhe u kënaqa kur mësova për zgjedhjen tuaj në detyrën e re.

 

Nën lidërshipin tuaj, LDK  është e qartë që po vijon rrugën e mikut tim Presidentit Ibrahim Rugova, të cilin unë vazhdoj ta shoh si një nga liderët disidentë demokratë të skenës botërore. Unë gjithashtu e mirëprita partnershipin tuaj me Ramush Haradinaj, ish-kryeministër të cilin populli juaj e vlerëson si hero të luftës.

 

Ju uroj dhe dëshiroj sukses në shërbim të popullit dhe Kosovës në periudhën kritike që keni përpara.

Ju falenderoj për konsideratën.

Sinqerisht

Bob Dole





Ndërkaq, Mustafa gjatë ditës së djeshme, siç bën me dije LDK, pranoi urime edhe nga deputeti i Bundestagut, Andreas Schockenhoff.

"Dr. Schockenhoff uroi Kryetarin Mustafa me rastin e zgjedhjes në postin e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për mesazhin e qartë të Kryetarit Mustafa në lidhje me dialogun dhe procesin e implementimit të të gjitha marrëveshjeve dhe përfundimisht normalizimin e raporteve me Serbinë", thuhet në njoftimin e LDK-së.

Schockenhoff, sipas njoftimit të LDK-së, gjithashtu është zotuar dhe ka shprehur interesim për bashkëpunim të shtuar ndërpartiak.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.