VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VV - ISH QEVERIA S'KA MANDAT TË MARRË VENDIM PËR TERMOCENTRALIN 'KOSOVA E RE'

E Mërkurë, 07.23.2014, 11:53am (GMT1)


Lëvizja Vetëvendosje, përveçse po e kundërshton nënshkrimin e kontratës me Konsorciumin Bechtel dhe Enka nga qeveria në detyrë e Kosovës, ka reaguar edhe ndaj shtyrjes së afatit për dorëzimin e ofertave në tenderin për ndërtimin e termocentralit "Kosova e Re" deri më 15 shtator.

Vetëvendosje thotë se kjo qeveri në ikje deri në moskthim, vazhdon të marrë vendime për çështjet e rëndësisë strategjike për vendin, vendime këto të cilat as një qeveri fuqiplotë nuk do të duhej t'i ndërmerrte pa e arritur konsensusin mbarëshoqëror.

"Dhe prapë sikur me autostradën për Shkup, kjo qeveri në ikje po e shfrytëzon orientimin e opinionit publik drejt zhvillimeve tjera politike për t'i kontrabanduar në heshtje vendimet e veta të dëmshme për të ardhmen e vendit",
thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

VV, në reagimin e saj, thotë se e kundërshton këtë projekt termocentrali, ndërtimi i të cilit bëhet kryekëput në kapital privat.

"Strategjia për energji dhe politikat e saj duhet të kenë qasje shumë më serioze se sa kjo që e kemi parë nga qeveria në ikje, apo cilado qeveri e pas luftës. Qasja karshi sektorit të energji duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e jo kështu e parcializuar duke u bazuar në interesat partikulare herë të qeveritarëve e herë të investitorëve", thotë Vetëvendosje.

Sipas këtij subjekti politik, Republika e Kosovës duhet ta zhvillojë sektorin e energjisë dhe ta vendosë atë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe sipas parimeve të tij dhe ky zhvillim, sipas tyre, do të sigurojë shfrytëzimin racional të resurseve energjetike, ofrimin e shërbimeve energjetike të cilësisë së lartë e me kosto të ulët, rritje e zbatim të programeve të efiçiencës dhe sigurisë së furnizimit, duke marrë parasysh kujdesin për mjedisin.

"Ngritja e kapaciteteve gjeneruese në bazë të linjitit, duhet të shoqërohet me ndërtimin e shfrytëzimin maksimal të burimeve të ripërtërishme, ku planifikimi i detajuar i kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme do t'i paraprijë vendimit për shtimit e termo-kapaciteteve. Investimet prioritare duhet të bëhen sipas parimit të rritjes së sigurisë së sistemit dhe zvogëlimin e humbjeve teknike e komerciale", thuhet më tej në reagim.

Vetëvendosje vlerëson se i tërë ky proces i tenderimit për kapacitetet e reja gjeneruese të energjisë elektrike ka qenë i përcjellë me shkelje të shumta dhe mungesë transparence.

"TC Kosova e Re, në mënyrën siç është konceptuar së fundi, bie ndesh me Strategjinë për Energji dhe vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Projekti është ndryshuar disa herë në dizajn. Komiteti drejtues asnjëherë nuk i ka publikuar termat e referencës për të treguar se çfarë teknologjie kërkojnë që të përdoret në termocentralin e ri", vlerëson ky subjekt politik.

Lëvizja Vetëvendosje shtron disa pyetje në lidhje me ndërtimin e TC Kosova e Re: Cila do të jetë kostoja e prodhimit të energjisë në këtë termocentral dhe rrjedhimisht cili do të jetë efekti i tij në çmimin e energjisë për qytetarët e vendit? Cilat janë planet për zhvendosjen e popullatës nga kjo pjesë e Kosovës ku do të ndërtohet termocentrali dhe nga sipërfaqja e minierës së linjitit, etj?

"Gjatë procesit të parakualifikimit ka pasur shumë lëvizje të të interesuarve, disa duke hequr dorë fare e të tjerët duke krijuar konsorciume të reja", thotë Vetëvendosje.

"Tash së fundi është tejet e paqartë se sa kompani kanë mbetur të interesuara. Në procesin e privatizimit të KEDS-it në fund u bë e qartë që ka pasur realisht vetëm një ofertues, pasi që kompania tjetër ishte aty vetëm sa për ta përmbushur kushtin themelor të dy ofertuesve. E njëjta gjë pak a shumë ka ndodhur edhe në procesin e dështuar të privatizimit të PTK-së", thuhet në fund të këtij reagimi.
kd
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.