VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KËRKESA E PBDNJ NË VITIN 1993 - HIMARA TË BASHKOHET ME VRANISHTIN

E Enjte, 07.24.2014, 06:59am (GMT1)


TIRANE - Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që kundërshton aktualisht bashkimin e Himarës me Vranishtin, sikundër propozon varianti i qeverisë në projektin për ndarjen e re territoriale të vendit, më herët ka insistuar fort që bashkimi i tyre në një zonë administrative duhej të ndodhte. "Gazeta Shqiptare" ka mundur të sigurojë ekskluzivisht një letër të kryetarit, aso kohe të Komunës së Himarës, Odise Goro, i zgjedhur në këtë post si përfaqësues i PBDNJ-së, i cili i drejtohej në 24 Janar 1993, Presidentit të kohës, Sali Berisha, ku i lutej të ndikonte që Himara të bëhej rreth duke u bashkuar pikërisht me Vranishtin. Me ligjin Nr.7572, datë 10.06.1992 "Për organizimin dhë funksionimin e pushtetit lokal", Himara kishte mbetur Komunë. Për këtë arsye kryetari i saj, Odise Goro, e cilësonte këtë ligj të padrejtë për komunitetin himariot. Në letrën drejtuar Berishës ai këmbëngulte fort që Himara të bëhej rreth duke bashkuar me të, ata që ai i cilësonte si vëllezërit e Vranishtit, Kuçit, Tërbaçit e fshatrave të tjerë.

ZAKONET

Ndryshe nga sa pretendon aktualisht, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ish-kryekomunari i Himarës, i zgjedhur aso kohe po nga PBDNJ-ja e justifikonte nevojën për bashkimin e Himarës me Vranishtin me argumentin se banorët e të dyja zonave por edhe të gjithë fshatrave të bregut kanë zakonet, doket, besimin fetar, traditat kulturore, folklorike e etnografike të njëjta. "Kemi një histori të veçantë, siç kemi të veçantë pozitën gjeografike, klimën dhe bimësinë, psikologjinë dhe besimin fetar, doket dhe zakonet, traditat kulturore, folklorike, etnografike, etj. Ata që pretendojnë, Zoti President, se të 8 fshatrat tok me qytetin e Himarës, nuk kanë popullsi të mjaftueshme, që krahina jonë të dalë e shkëputur, si rreth më vete, i kujtojmë se Himara, nuk ka qenë ajo që është sot, por shumë më e gjerë dhe shumë më e madhe. Natyrisht, ne nuk kërkojmë kufijtë natyrore të shekullit XVIII, ata të Himarës së 50 e ca fshatrave. Duam këtë rryp të bukur e të bekuar toke, buzë detit, që nga Llogaraja në Nivicë, ashtu siç e kishim në prag të këtij shekulli. Dhe në mos mjaftofshin fshatrat e krejt bregut të detit, atëhere ftojmë në gjirin tonë vëllezërit e Kuçit, Kallaratit, Vranishtit e Tërbaçit", - shprehej Goro në letrën drejtuar Berishën në '93-shin. Ai argumentonte gjithashtu se falë bashkimit me gjithë këto fshatra "Himara vë në lëvizje vetëveten drejt zhvillimit të mëtejshëm, duke kapërcyer e zgjidhur gjithë ato probleme që ka, si për shërbimin shëndetësor dhe transportin, për shërbimet komunale dhe tregëtinë, për shërbimin telefonik, postar e elektrik, shërbime këto edhe sot e kësaj dite, në një gjendje të mjerueshme për ne, gjendje që të krijon përshtypjen e lënies në harresë e pikëllon pa masë himariotët", - shprehej ai.

TEDI BLUSHI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.