VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VISAR YMERI E QUAN TË GABUAR VENDIMIN E KUSHTETUESES

E Enjte, 07.24.2014, 11:35am (GMT1)



Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, aplikohet masa e përkohshme, pezullohet vendimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe kërkohet që Kuvendi të përmbahet nga çdo veprim deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e quan problematik, dhe se me këtë thotë se Gjykata Kushtetuese ka bërë gabim duke treguar se nuk është e lirë nga ndikimet e politikës ditore.

"Problematike masa e përkohshme, në këtë drejtim Gjykata Kushtetuese ka bërë një lloj gabimi edhe ka tregu se nuk është e lirë nga ndikimet e politikës ditore, nuk mund ta paragjykoj vendimin përfundimtar, por normalisht se i zgjedhuri duhet ta respektojë", thotë Ymeri në një intervistë për RTK.
Subjekti të cilit i takon ai, në seancën konstituive ka abstenuar, kur i propozuari i koalicionit LDK- AAK- Nisma për Kosovën, Isa Mustafa, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ymeri thotë se nëse nuk ka marrëveshje politike me koalicionin nuk do të votohet as qeveria, dhe se Vetëvendosje do të mbetet në opozitë, pasi që sipas tyre, pa parimet e paracaktuar nga këta të fundit "rrezikon", siç shprehet ai, të vazhdojë qeverisja e ardhshme pa ndryshim të politikave nga ajo e kaluara.
Sipas tij të mërkurën, një ditë para seancës konstituive, është arritur marrëveshje verbale, kurse në takimin para seancës të liderëve të bllokut dhe atij të Vetëvendosjes, nuk u nënshkrua një dakordim i tillë.

"Të mërkurën kur kemi arritur dakordim, të nesërme pas takimit kur është dashtë të nënshkruhet në atë takim ata kanë hequr dorë dhe e kanë kthyer diskutimin në pikën fillestare", deklaron Ymeri, duke treguar se të gjitha propozimet e tyre kanë rrjedhë nga dakordimet mes tyre gjatë takimeve, kurse vetë lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar që çështja e dialogut të drejtohet nga Vetëvendosje.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.