VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LDK-AAK-NISMA: VENDIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE NUK NA NDAL
Shumica e re qeverisëse paralajmëron Presidenten t'i kryejë detyrimet e veta në bazë të Kushtetutës

E Enjte, 07.24.2014, 04:02pm (GMT1)


PRISHTINE - Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese ka pezulluar nga posti i kryeparlamentarit Isa Mustafën, partitë e koalicionit LDK AAK NISMA kanë drejtuare akuza në adresë të Hashim Thaçit i cili sipas tyre po e zvarritë krijimin e institucioneve të vendit. Lideri i LDK-së pas takimit ka thënë se Gjykata mund të marrë çfarëdo vendimi mirëpo vendimi përfundimtar i takon deputetëve të Kuvendit.

I pari i LDK-së, Isa Mustafa, ka theksuar se procedurat e filluara demokratike do të vazhdojnë të implementohen, pa marrë parasysh kujt i pëlqen e kujt jo. "Ne kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm, kemi siguruar shumicën në Kuvend, e cila është vërtetuar në seancën e 17 korrikut, kur kemi pasur 83 deputetë, që përbën më shumë se 2/3 të Kuvendit të Kosovës. Kemi vendosur mbi baza demokratike, dhe këto procedura demokratike do t'i implementojmë pa marrë parasysh se kujt i pëlqejnë e kujt jo," ka thënë ai.

Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, Mustafa ka bërë të ditur, se vendimet në favor ose disfavor të tij i marrin deputetët e Kuvendit dhe jo Gjykata Kushtetuese. "Gjykata mund të marrë çfarëdo vendimi mirëpo vendimi përfundimtar iu takon deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët përfaqësojnë sovranin."

Ndërkaq, Haradinaj, ka folur për pengesat, vonesat e zvarritjen e proceseve, të cilat sipas tij po i shkakton regjimi i Hashim Thaçit, me praktikat e tyre të zaptimit të vendit. Ai i ka bërë me dije Thaçit se këto pengesa vetëm sa po e forcojnë më shumë shumicën politike të vendit. "Ne e kemi ditur që në fillim që do të ketë pengesa. Pengesa nga regjimi i z.Thaçi. Një regjim i cili praktikën e tij të zaptimit e ka vërtetuar publikisht para 2 milionë qytetarëve të vendit, me zaptimin e seancës. Jemi dëshmitarë të situatës me ulëset, situatës me rendin e ditës, dhe situatës me Flora Brovinën dhe shkarkimin e saj prej kryesueses," ka thënë Haradinaj pas takimit.

Haradinaj, ka theksuar se për të gjitha pengesat që mund t'ju dalin tashmë kanë zgjidhje. E ajo zgjidhje, sipas tij, janë 83 deputetët e Kuvendit, të cilën përfaqësojnë më shumë se 2/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve. "Çdo pengesë që mundohet të vendoset në këtë drejtim e ka zgjidhjen e vet. Pra, zgjidhja buron te 2/3 e deputetëve të zgjedhur që kanë dhënë betimin. Atë që e kemi që e kemi bërë në seancë, ku 83 deputetë ishin pjesë e saj, do ta bëjmë edhe për kalimin e proceseve të tjera," ka thënë ai.

Haradinaj ka potencuar se kryetari i Qeverisë në largim, po e shkelë ligjin, duke marrë vendime ekzekutive edhe pse është betuar si deputet. "Ata kanë deklaruar se krye parlamentari Krasniqi nuk ka qenë legjitim kur ka përgatitur rend dite. Pra, krye parlamentari me kryesinë e vjetër kanë kontestuar legjitimitetin e tyre, ndërsa ata vetë, edhe pasi kanë dhënë betimin si deputet, vazhdojnë të marrin vendime si qeveri. Janë vendime jo kushtetuese, jo ligjore janë duke i bërë. Është duke i humbur kohë vendit, dhe është duke u provuar praktika e zaptimit, ashtu siç ka ndodhur në seancën e 17 korrikut.

Ata që e kanë bërë në mënyrë publike zaptimin e parlamentit, duhet t'i heqim dilemat se s'po provojnë ta zaptojnë çdo etapë tjetër, për t'i penguar këto ndryshime,"
ka thënë ai, duke shtuar se në këtë mënyrë vetëm sa po e thellojnë hendekun në shoqëri, vetëm sa do t'i motivojnë qytetarët e vendit për një ndryshim sa më rrënjësor dhe vetëm sa do ta bëjnë shumicën politike më të vendosur për t'i shkuar deri në fund me të gjithë këta që po marrin pjesë në zaptimin e Kosovës.

Haradinaj ka ritheksuar se në fokus të koalicionit është ndërtimi në mënyrë demokratike i institucioneve të vendit, sigurimi i një qeverisjeje zhvillimore dhe ndryshimeve, dhe ka shtuar se në çdo variant koalicioni do të jetë bashkë në formimin e institucionet e vendit. I pari i "˜Nisma për Kosovën', Fatmit Limaj, në emër të koalicionit iu ka bërë apel institucioneve shtetërore t'i kryejnë detyrat në baze të ligjit e të kushtetutës, në mënyrë plotësisht të pavarur.

Ai me këtë rast, ka theksuar edhe një herë se ky koalicion do të shkojë deri në fund me formimin e institucioneve të vendit. "Duhet ta keni të qartë që ky koalicion do të shkojë deri në fund. Pavarësisht varianteve, pavarësisht ideve, pavarësisht shpresave, ky koalicion do të shkojë deri në fund, ky koalicion do t'i ndërtojë institucionet e vendit. Jo pse ky është vullneti ynë individual, por sepse është vullneti i shumicës së deputetëve, dhe çka do që flitet dhe përflitet nëpër opinion janë thjeshtë spekulime," ka thënë Limaj, duke shtuar se tashmë e kanë shumicën e verifikuar në Kuvend, citon express.

Po ashtu, Limaj ka bërë të ditur se presin që edhe Presidentja e vendit t'i kryejë obligimet e veta në bazë të Kushtetutës.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.