VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NUMËR I MADH KRITERESH TË PAPËRMBUSHURA NGA KOSOVA PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE

E Premte, 07.25.2014, 02:17pm (GMT1)


Qytetarët e Kosovës nuk mund të vazhdojnë të jenë peng i papërgjegjshmërisë së përfaqësuesve politikë, bartësve të institucioneve të pavarura, sidomos, resorëve ministrore, organeve gjyqësore dhe prokuroriale (të përmendura në Raportin vlerësues), të cilët po rrezikojnë që qytetarëve të Kosovës të mos u njihet e drejta që të lëvizin lirshëm (pa viza) në zonën Schengen, thekson Grupi për Studime Juridike dhe Politike, pas publikimit të raportit të dytë të KE mbi progresin e Kosovës në përmbushjen e kushteve për liberalizim të vizave.

Në kumtesën për opinion, ky grup shpreh shqetësimin e tij për numrin e madh të kritereve, të cilat institucionet e Kosovës nuk i kanë adresuar në mënyrën dhe kualitetin e duhur, dhe kërkon që sfidat e tilla të adresohen sa më parë që të jetë e mundur. Grupi kërkon që sfidat të cilat dalin nga ky raport i Komisionit Evropian të adresohen deri në mesin e shtatorit, meqë në rast se nuk adresohen, Kosova rrezikohet që të vlerësohet me notë të njëjtë edhe nga ekipi teknik i Komisionit Evropian që pritet ta bëjë vizitën e tij të ardhshme në Kosovë në shtator, eventualisht tetor 2014.

Me këtë vështrim, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, si organizatë e cila në vazhdimësi ka monitoruar procesin e zbatimit dhe plotësimit të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, u bën thirrje Qeverisë në largim, partive politike të përfaqësuara në Kuvend, dhe institucioneve të tjera, që të adresojnë të gjitha kërkesat që dalin nga ky raport me kujdesin dhe dinamikën më të madhe të mundshme.

Qytetarët e Kosovës nuk mund të vazhdojnë të jenë peng i papërgjegjshmërisë së përfaqësuesve politikë, bartësve të institucioneve të pavarura, sidomos, resorëve ministrore, organeve gjyqësore dhe prokuroriale (të përmendura në Raportin vlerësues), të cilët po rrezikojnë që qytetarëve të Kosovës të mos u njihet e drejta që të lëvizin lirshëm (pa viza) në zonën Schengen.

Raporti vlerësues i Komisionit Evropian bën të qartë se cilat janë sfidat e mbetura, dhe tani është punë e institucioneve të Kosovës që të gjejnë mënyrën se si t'i adresojnë ato, dhe t'iu mundësojnë, në një periudhë të shkurtër, qytetarëve të Kosovë të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
Shqetësues mbetet fakti që numri më i madh i sfidave lidhet me bllokun , që ka të bëjë me rendin dhe sigurinë publike. Në lidhje me këtë, Qeveria e Kosovës (ajo në largim dhe ajo që do të vjen), dhe institucionet e tjera duhet që sa më parë të:

-avancojnë më tutje pavarësinë e gjyqësorit, duke harmonizuar ligjet kryesore që kanë hyrë në fuqi në janar 2013, sidomos standardet dhe praktikën në lidhje me kriteret për zgjedhjen dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;
-zvogëlojnë rastet e mbetura në sistemin gjyqësor dhe të bëjnë të mundur që vendet e lira në KGJK dhe KPK të plotësohen;
-zbatojnë esencialisht Ligjin mbi financimin e partive politike dhe të ndryshojnë kornizën ligjore që i mundëson funksionim të plotë Organit Shqyrtues të Prokurimit, duke e ruajtur këtë të fundit nga ndikimet politike;
-përmirësojnë shkëmbimin e informacioneve në mes të agjencive të zbatimit të ligjit dhe organeve gjyqësore dhe të avancojnë kapacitetet profesionale të tyre, sidomos sa i takon luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar;

-bëjnë të mundur integrimin e hetuesisë financiare në çdo rast hetimi në lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin;
-garantojnë që regjistri civil të jetë në vazhdimësi i plotë, i saktë dhe i sigurt në kuptim të të dhënave që mban dhe ruan;
-bëjnë të mundur shfrytëzimin e analizës së rrezikut në pikat kufitare, si dhe rregullisht zbatojnë praktika të kontrollit dhe zhvillojnë praktika të nevojshme të kontrollit dhe regjistrimit të pasagjerëve;
-zgjerojnë rrjetin e sistemit informativ të vizave në të gjitha misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës;

-bëjnë të mundur lidhjen dhe koordinimin e databazave të sistemeve të ndryshme të të dhënave siç janë sistemi i menaxhimit të kufirit, sistemi i vizave dhe atij të azilit;
-vazhdojnë zbatimin e politikave që zvogëlojnë migrimin e qytetarëve të Kosovës në vendet e zonës Schengen; si dhe,
-zbatimin e masave të nevojshme që parandalojnë ndikimin që niveli i krimit të organizuar dhe korrupsionit mund të kenë në sigurinë e brendshme të BE-së.

Po aq, Grupi për Studime Juridike dhe Politike shpreh shqetësimin e tij të thellë me sjelljen dhe standardet e vlerësimit të arritjeve nga ana e Komisionit Evropian dhe ekspertëve të tyre. Këta të fundit, dhe sidomos disa nga vlerësimet dhe rekomandimet e këtij raporti, mbesin jashtë çdo standardi të vlerësimit profesional të arritjeve dhe fokusohen në çështje teknike dhe formale që jo domosdo përbëjnë shkas që Kosovës t'i shtyhet edhe më tutje vlerësimi pozitiv dhe përfundimtar i arritjeve (gjithherë bazuar në mënyrën e vlerësimit të Komisionit Evropian në raport me të gjitha vendet e rajonit në procesin e liberalizimit të vizave).

Në këtë kuptim, Grupi për Studime Juridike dhe Politike kërkon nga Komisioni Evropian që të pamundësojë që njohja e rezultatit pozitiv nga ky proces të mos mbetet peng i vlerësimeve shpeshherë të natyrës jothelbësore, ku realitetet tentojnë të balancohet me nuanca të paqarta të politikave publike.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.