VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KMDLNJ - SERBËT ME SHUMËKATËSHE, SHQIPTARËVE IU NDALOHET RINDËRTIMI I SHTËPIVE TË DJEGURA

E Premte, 07.25.2014, 07:03pm (GMT1)



Ligji nuk vepron njësoj për shqiptarët e serbët në veri të Mitrovicës. Derisa shqiptarëve iu është ndërprerë puna për rindërtimin e 6 shtëpive, serbët kanë filluar ndërtimin e dy objekteve shumëkatëshe. Për më tepër, strukturat serbe janë hedhur në ofensivë për të blerë tokat e shqiptarëve në këtë lagje, në mënyrë që të ndërtojnë objekte për banim kolektiv.

Nëse shqiptarët nga lagjja e Kroit të Vitakut duhet të kërkojnë leje për t'i rindërtuar shtëpitë e djegura në pronat e tyre, kjo nuk vlen edhe për serbët. Këta të fundit kanë filluar t'i ndërtojnë dy objekte shumëkatëshe banesore në këtë lagje.

Veprimet e serbëve kanë irrituar banorët shqiptarë, pasi këta të fundit nuk po lejohen nga serbët të vazhdojnë ndërtimet.

Kompanisë së kontraktuar për t'i rindërtuar shtëpitë e shqiptarëve, disa ditë më parë i është ndërprerë puna, në ndërtim e sipër të 6 shtëpive shqiptare. Punimet janë ndërprerë nga serbët të cilët u bllokuan rrugën me kamion, sipas përfaqësuesit të lagjes, Nazmi Azemi.

Në komunën e Mitrovicës së Jugut thonë se paratë për ndërtimin e shtëpive janë siguruar nga fondi "Ndihmo edhe ti", por ndërtimet u ndërprenë dhe tash komuniteti është në pritje të veprimeve të institucioneve të shtetit, në mënyrë që rindërtimi i shtëpive të vazhdojë.

Kryenegociatorja në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, tha për televizionin publik të Kosovës se të gjitha punimet të cilat janë zhvilluar pas moratoriumit në veriun e Mitrovicës, do të zhbëhen.

Televizioni u përpoq të mësojë më shumë rreth objekteve të larta të serbëve që po ndërtohen në këtë lagje. Kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, kishte premtuar se do të deklarohet sot për televizionin, por ai nuk iu përgjigj thirrjeve telefonike.

Burime të televizionit publik të Kosovës thonë se strukturat paralele serbe janë të interesuara t'i blejnë pronat e shqiptarëve për të ndërtuar banesa kolektive.

Në lagjen "Kroi i Vitakut" ka pasur përplasje mes shqiptarëve dhe serbeve, që kur kanë filluar të ndërtohen shtëpitë e shqiptarëve.

Sipas të dhënave të KMDLNJ-së në Mitrovicë nga pas lufta e deri me tani në veriun e Mitrovicës janë uzurpuar 1400 prona të shqiptarëve.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.