VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VETËVENDOSJE - TË MOS VONOHEMI, ËSHTË E DOMOSDOSHME TË ARRIHET MARRËVESHJA ME LDK-AAK-NISMA

E Shtunë, 07.26.2014, 06:59am (GMT1)


Dardan Molliqaj, nga Lëvizja Vetëvendosje, në emisionin Argument Plus të RTV21, nuk është shprehur optimist se subjekti i tij do të arrijë marrëveshje me bllokun LDK-AAK-Nisma.

"Ka pak punë dhe angazhim konkret për këtë çështje", thotë ai. "Kam kërkuar të takohemi më 14 korrik me liderët. Thanë se kanë obligime deri në ora 20. Nëse e konsiderojmë se shteti i Kosovës është keq dhe takimi është i rëndësishëm, nuk është argument se nuk kanë kohë. Duhet të takohemi edhe në 1 a 2 të natës nëse është e nevojshme", thotë ai.

Sipas tij, nëse blloku trepalësh e ka seriozisht, duhet të takohet me VV-në.

"Vetëvendosje nuk e ka të domosdoshme me qenë pjesë e bashkëpunimit. Nëse duan me ndërtu shtetin, në rregull, por të mos vonohemi".

Në anën tjetër, Kujtim Shala nga LDK tha se edhe pse nuk u arrit marrëveshje, LDK ka kërkuar nga VV të votohet kandidati i përbashkët për kryetar të Kuvendit, si një gjest politik.

"Lëvizja ishte konsistente: thanë nëse nuk ka marrëveshje, nuk ka votim. Por, ne prapë kemi kërkuar, meqë donim votë më të madhe politike. Ajo nuk u bë, por akti i Lëvizjes ishte i përgjegjshëm, se ka qëndruar seancë në atë që e ka llogaritur si seancë të rregullt. Është sjell konform normave parlamentare e kushtetuese", tha Shala.

Ai tha se marrëveshja nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, sepse ekziston shumica parlamentare. Ndërsa, Molliqaj tha se gjithçka varet nga Gjykata Kushtetuese, për të cilën thotë se është politike.

"Udhëhiqet nga një person që është i papërgjegjshëm. Nuk pres me optimizëm vendime të drejta", tha ai.

Molliqaj thekson se blloku trepalësh ka mundësi të merret vesh për qeverisje me pakicat ose me Lëvizjen Vetëvendosje.

"Nëse merren kërkesat e minoritetit serb ka rrezik se ajo qeveri do të jetë e keqe, se kërkesat do të jenë të këqija. Ata varen nga Beogradi. Dështimi i marrëveshjes është përgjegjësi e Bllokut. Po dështon për një pikë që ishte propozim i tyre (negociatat të udhëhiqen nga VV). Andaj, ata duhet të reflektojnë a duan një qeveri që do të kushtëzohet vazhdimisht nga Srpska", tha Molliqaj.

Shala insiston se raportet me pakicat janë kushtetuese dhe se partneriteti është i pakët.

"Minoritetet kanë votuar pa kusht, si gjest politik, meqë ata votojnë shumicën shqiptare dhe ai është grupi ynë parlamentar. Besoj se kemi vullnet për marrëveshje me VV-në. Na duhet qeveria, sepse është mjet që të punojmë për parimet për të cilat jemi pajtuar. Në situata të vështira kemi dëshirë qeveri me shumicë shqiptare. Mbi këtë bazë do të përpiqemi të ndërtojmë raportin në ditët që kemi përpara", tha ai. /Telegrafi/


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.