VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ANGAZHIM I VONUAR PËR TË DHUNUARAT E LUFTËS

E Djelë, 07.27.2014, 06:37am (GMT1)



Mijëra gra shqiptare të Kosovës dyshohet se janë dhunuar nga forcat policore, ushtarake e paramilitare të Serbisë, në periudhën shkurt 1998 - qershor 1999. Ashtu si edhe për numrin e të vrarëve, Kosova nuk ka shifër të saktë as për të përdhunuarat e luftës, shkruan sot Koha Ditore.

Mediet vazhdimisht i referohen shifrës 20 mijë. Por kjo shifër nuk ka arritur të argumentohet me fakte nga asnjë organizatë vendore apo ndërkombëtare, derisa institucionet as që janë marrë ndonjëherë me të.

Për pesëmbëdhjetë vjet çështja e dhunimeve është heshtur dhe mbajtur tabu nga institucionet dhe shoqëria. Ndërsa në dialogun që Kosova e ka zhvilluar me Serbinë, me ndërmjetësim të Brukselit, dhunimi i përdorur si armë lufte nga forcat serbe as që është shtruar si temë ndonjëherë.

Vetëm vitin e fundit ka filluar një aktivizim i shoqërisë dhe i institucioneve për të thyer heshtjen.

Është miratuar një ligj që e njeh statusin e të dhunuarave si viktima të luftës. Por në të nuk parashihet mbulesë financiare për viktimat. Është formuar një Këshill Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës që udhëhiqet nga presidentja e shtetit, por roli i tij është vetëm këshillëdhënës.

Së fundmi është nënshkruar një peticion me anë të të cilit kërkohet drejtësi ndërkombëtare për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë, i cili do t'i dërgohet OKB-së.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.