VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NJË MUAJ NGA VRASJA E ARTAN SANTOS - DOSJA KTHEHET PËR PLOTËSIM NË POLICI

E Djelë, 07.27.2014, 08:40am (GMT1)



TIRANE - Kur është mbushur plot një muaj nga dita kur bankieri Artan Santo u qëllua për vdekje në zonën e ish-Bllokut, policia dhe prokuroria ende nuk ka ndonjë të dyshuar për krimin e rëndë dhe një pistë konkrete për vrasjen.

Zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme tha për "GSH" se dosja "Santo" i është kthyer për hetime të mëtejshme policisë së Tiranës, e cila nëse siguron prova, njofton menjëherë prokurorinë. Hetimet për vrasjen e bankierit të njohur janë në pikën zero, pas lirimit të dy kushërinjve Saimir e Klodian Gjozi, të cilët u mbajtën të arrestuar për 15 ditë dhe më pas rifituan lirinë.

Edhe pse Policia e Shtetit tha se në duart e kushërinjve u gjetën shenja baruti, gjykata vendosi t'i lirojë, pasi prokuroria nuk solli para saj prova për implikimin e tyre në krimin e rëndë. Në fakt, vrasja e bankierit Santo konsiderohet si një nga dosjet më të vështira për t'u zbardhur, pasi sipas policisë, vrasësit janë mjaft profesionistë dhe krimi ka qenë i mirëorganizuar.

Sa u përket pistave, prokuroria ka ngritur disa të tilla, ku më kryesorja lidhet me detyrën e Artan Santos si bankier. Përgjatë këtij muaji, prokurorët kanë mbledhur të gjitha provat që mendohet t'i shërbejnë hetimit dhe kanë pyetur dëshmitarët okularë dhe personat që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.