VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MYSLIMANËT SHQIPTARË FESTOJNË FITËR BAJRAMIN - APEL NË TIRANË PËR NDËRTIMIN E XHAMISË SË MADHE

E Hënë, 07.28.2014, 07:22am (GMT1)



Liderët politikë në Prishtinë kanë uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit e cila fillon sot në Kosovë dhe shumë vende të tjera me popullatë myslimane.

Fitër Bajrami është festa që pason muajin e shenjtë të Ramazanit gjatë të cilit besimtarët kanë agjeruar nga lindja deri në perëndim të diellit.

Manifestimet e sotme kanë filluar para orës 5 të mengjesit në Xhaminë e Madhe të Prishtinës, ndërsa gjatë ditës Bashkësia Islame e Kosovës, siç ndodh rëndom, do të presë mysafirë të shumtë për urime në selinë e kësaj organizate në Prishtinë.

Në Kosovë autoritetet fetare e politike kanë këmbyer përgëzime me rastin e përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit. Në urimet me rastin e ditës së Bajramit që kremtohet nesër dhe që shënon përfundimin e agjërimit, vihet theksi tek thirrjet për solidaritet, tolerancë e mirëkuptim ndërmjet njerëzve dhe besimeve.

Ky mesazh është përcjellë sot edhe në urimin e kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava, i cili thekson se dita e nesërme e Fitër - Bajramit është ditë kur besimtarët ndajnë gëzimin dhe shkëmbejnë urimet mes vete, duke e lutur Zotin për faljen e mëkateve të mundshme dhe që bashkërisht të punojnë për një të ardhme sa më të mirë të vendit.

Festa e Fiter Bajramit në Tiranë nisi që në orët e para të mëngjesit, përkatësisht rreth orës 6:23, me faljen e Fiter Bajramit në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Në një njoftim të drejtuar nga Komuniteti Mysliman, ceremonia e faljes për gratë është zhvilluar në rrugën "Myslym Shyri". Apeli i myslimanëve në këtë ditë feste ka qenë: Ndërtimi i Xhamisë së Madhe. Gjatë fjalës, ata kanë kërkuar më shumë dinjitet nga strukturat shtetërore.

Drejtori i mesazhit islam në Komunitetin Mysliman, Elvis Naçi gjatë një prononcimi për News24 i ka uruar besimtarëve festën e Fiter Bajramit. Sipas tij, ndërtimi i xhamisë së madhe nuk është luks, por një domosdoshmëri për komunitetin mysliman. "Xhamia nuk është më luks, por domosdoshmëri. Keqardhje që çështja e xhamisë nuk është zgjidhur. Kemi pritur me tolerancë për një zgjidhje për xhaminë"- kështu shprehet Naçi për News24. Më tej Naçi theksoi se dy kulte tashmë janë ngritur, ndaj shpresohet që kjo gjë të ndodh dhe për xhaminë.

Apelit për ndërtimin e Xhamisë së Madhe i është bashkuar dhe Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra. Gurra i ka drejtuar një mesazh kryeministrit Edi Rama për ndërtimin e xhamisë, duke shtuar se ka besim se qeveria do e marrë parasysh këtë kërkesë. "Të vendoset në vend dinjiteti i myslimanëve. Kryeministri të na respektojë, të kemi vend për t'u falur. Kam besim te qeveria e kryeministri"-kështu u shpreh Myftiu i Tiranës.

Më tej ai shtoi se nuk ka më vend për premtime, ndaj duhet të plotësohet dinjiteti i myslimanëve. "Nuk jemi më pak dinjitoz se kushdo tjetër. Nuk ka më vend për premtime, të plotësohet dinjiteti ynë"-tha Gurra.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.