VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FENOMEN I RRALLË NË SHQIPËRI - NDRIÇOHET QIELLI NATËN

E Hënë, 07.28.2014, 09:25pm (GMT1)



TIRANE - Banorët në disa qytete të Shqipërisë u bënë dëshmitarë të një dukurie të rrallë që ndodhi mbrëmë, kur rreth orës 3:00 qielli i natës u ndriçua, pas një stuhie me shi dhe erë të fortë.

Siç duket edhe në foto, qielli u hap dhe një fashë e tij rrezatonte dritë, duke bërë që të dukej sikur ishte një orë mëngjesi. Fenomeni është vërejtur në kryeqytetin shqiptar, por dhe në qytete si Shkodër, Durrës dhe Vlorë, dhe qytetarë të ndryshëm janë përpjekur ta fiksojnë duke bërë fotografi, të cilat i kanë postuar në rrjetet sociale.

Zyrtarisht askush nuk është deklaruar mbi atë çka ndodhi mbrëmë, por sipas komenteve, ky mund të jetë një fenomen që ndodh shumë rrallë, kur hëna reflekton rezet e diellit në atë mënyrë që u pa dje nga shumë qytetarë. Disa flasin për stuhi diellore, ndërsa besimtarët e cilësuan këtë si "një bekim dhe sinjal të Zotit" për festen e Bajramit.

"Stuhia ishte një tornado, por e një shkalle të dobët. Ky fenomen ka qenë në zonat bregdetare dhe më e dobët ka qenë në zonat malorë. Këto nuk janë fenomene të jashtëzakonshme, pasi ndodhin në zonat bregdetare. Një rast i tillë ndodhi dhe në Sarandë, por pak më i dobët. Kemi pasur një zhvillim të llojeve të ndryshme të fenomeneve. Rrebeshet e shiut kohët e fundit nuk janë normale."-kështu deklaroi Lajda Porja, meteorologe, e ftuar në rubrikën "Opinion", në News24.

Në dekadën e fundit, sipas Porjas ka pasur ndryshime klimaterike dhe fenomene të tilla. "Dihej që vera do ishte më e lagësht, por në shumë zona të Shqipërisë nuk është plotësuar norma e rënies së shiut. Fenomeni ekstrem i mbrëmshëm ka bërë që Tirana të tejkalojë normën e shirave.

Fenomenet e tilla ekstreme parashikohen rreth 24 orë më parë, ku era në momente të veçanta ishte 80 km/orë. Ka përfshirë brigjet e Malit të Zi, e deri në Greqi."-shtoi Lajda Porja. Duke u ndalur tek kushtet meteorologjike që pritet të pasojnë gushtin, Porja theksoi se edhe gjatë këtij muaj do ketë luhatje temperaturash. "Edhe gjatë gushtit do të ketë shi, në pjesën e parë të muajt do ketë një mot të qëndrueshëm, dhe 15 ditëshi i dytë do ketë luhatje."-tha Porja.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.