VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Editorial
ZVICRA I PËRKRYEN VEÇANËSITË E SAJ NË HARMONI DHE PAJTIM ME KONTEKSTIN EVROPIAN DHE BOTËROR

E Premte, 08.01.2014, 08:21am (GMT1)


Voal-online.ch - Sot është 1 Gushti, Festa Kombëtare e Zvicrës. Është traditë që kjo kremte, krahas manifestimeve dhe gëzimeve popullore, shënohet nga paraqitjet e udhëheqësve të vendit në mediat qendrore dhe nga turnetë e takimeve të këshilltarëve federalë nëpër kantonet drejtpërdrejt në terren me qytetarët. Dhe çdo 1 Gusht parashtrohen temat më të rëndësishme mbi të cilat ndërtohen vizionet e afërta dhe të largëta të vendit.

Në paraqitjen e mbrëmshme, në vigjilje të festës, në televizionin kombëtar, Presidenti i Konfederatës njëherësh ministër i Jashtëm Didier Burkhalter pati në qendër të trajtimeve të tij temat e veçanësive helvetike, raportet me Bashkimin Evropian dhe presidencën zvicerane të OSBE-së, tri përmasa që e paraqesin Zvicrën në rrafshin e brendshëm, në rrafshin e kontinentit dhe në atë ndërkombëtar.

Presidenti Burkhalter theksoi përparësinë zvicerane për të konkretizuar vullnetin popullor për një kontroll më të mirë të emigracionit dhe ndërkohë për të ruajtur vijën e marrëdhënieve dypalëshe me Bashkimin Evropian. "Është një mision i vështirë, por që duhet të mbetet parësor për Zvicrën," ka theksuar Didier Burkhalter, duke iu referuar raporteve me Brukselin pas votës popullore të 8 shkurtit.

Burkhalter, në një paraqitje të këtyre ditëve, theksonte se Zvicra është tejet e rëndësishme për Bashkimin Evropian. "Me BE-në duhet të gjejmë një ekuilibër, por Zvicra ka një rëndësi të panënvleftësueshme për Bashkimin," theksoi përsëri Presidenti i Konfederatës në intervistën e transmetuar mbrëmë. "Kjo rëndësi bëhet evidente, ka theksuar më tej Presidenti, nga fakti që Zvicra përfaqëson vendit e dytë investues në Bashkimin Evropian dhe partnerin e katërt tregtar me Njëzet e Tetëshen."

Përtej aspektit ekonomik e financiar, ato që përbëjnë elemente interesi në dialogun me BE-në, ka theksuar Burkhalter janë stabiliteti dhe specifiteti i Zvicrës. Një nga këto specifitete, nga këto veçanësi është roli i Zvicrës në fushën e mediacionit, pra ndërmjetësimit ndërkombëtar. Si një vend neutral, tejet korrekt në marrëdhëniet ndërkombëtare, Zvicra mbetet gjithnjë e më shumë një faktor përherë e më i besueshëm në rolet e saj ndërmjetësuese ndërkombëtare. Në një kohë kur Bashkimi Evropian përballet me sfida konkrete në vetë terrenin e saj, në hapësirën e ngushtë të interesave të saj, një rol i tillë është më i rëndësishëm dhe më i prekshëm se kurrë më parë. Këtë rol zviceran e bën më akut pozita e saj si kryesuese aktuale e OSBE-së.

Sfidën kryesore të brendshme, Presidenti i Konfederatës e ka konsideruar sfidën për të ardhmen e vendit. Për këtë z. Burkhalter ka kërkuar një përfshirje më të madhe të të rinjve përballë sfidave të vendit. "Dëshiroj para së gjithash që vetë të rinjtë të ndihen të përgjegjshëm ndaj së ardhmes së tyre. Por nuk dua të flas për të rinjtë në përgjithësi, por dua të flas për të riun që gjendet tek secili prej nesh. Tek çdo moshë ka një vullnet për punuar për të tjerët," ka theksuar Burkhalter duke synuar kështu rritjen e ndjenjës së përgjegjshmërisë dhe të solidaritetit në radhët e qytetarëve zviceranë.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.