VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Vdes në Nju Jork në moshën 51 vjeçare ish ambasadori i Shqipërisë në SHBA Lublin Dilja
E Hënë, 02.02.2009, 08:59am (GMT1)

Zëri i Amerikës - Dje pasdite vdiq në një spital të Nju Jorkut, ish Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Lublin Dilja, pas një sëmundjeje të rëndë. 

Z. Dilja lindi në Elbasan në 10 tetor të vitit 1957, ku kaloi edhe vitet e fëmijërisë. Shkollën e lartë ai e kreu në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Dega Anglisht. Pasi përfundoi shkollën, në vitin 1980, ai punoi fillimisht si mësues i gjuhës angleze. Më pas kreu disa kualifikime pasuniversitare për psikologji-pedagogji, si dhe kurse për diplomacinë në Shtetet e Bashkuara, në Britani e Itali.

Z. Dilja ka patur një karrierë të spikatur si profesor në Universitetin e Tiranës dhe atë të Elbasanit dhe si punonjës shkencor në Institutin e Pedagogjisë dhe të Psikologjisë. Ai kishte titullin "Doktor i Shkencave".

Nga viti 1993 deri më 1997, Lublin Dilja ishte Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. 

Në shtator të vitit 2001 ai u zgjodh Deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.

Nga viti 2002 e deri në fund të jetës, ai ishte Ministër Fuqiplotë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së dhe njëkohësisht zëvendëspërfaqësues i këtij misioni.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ambasadori i Shqipërisë në OKB Adrian Neritani, e vlerësoi kolegun e tij Lublin Dilja në planin personal dhe atë profesional:

"Ai ishte një individ me cilësi të larta dhe të dukshme profesionale... Ai e kombinonte profesionin si diplomat me përgatitjen e tij si pedagog dhe shkencëtar. Duhet theksuar se Lublin Dilja ka qenë Ambasador i Shqipërisë në SHBA në një periudhë shumë të rëndësishme për vendin."

Ambasadori Neritani tha se cilësitë e veçanta njerëzore dhe profesionale të zotit Dilja u shprehën edhe në detyrën e tij në OKB:

"Ambasadori Dilja ka qenë një figurë publike, jo thjesht zyrtare, një figurë e respektuar nga komuniteti shqiptar i Amerikës dhe nga kolegët e tij diplomatë brenda dhe jashtë misionit të OKB-së".

Zoti Neritani, e kujton ish-kolegun e tij si një njeri kurajoz deri në minutat e fundit të jetës:

"Ai shfaqi kurajo dhe një ndjenjë të lartë përgjegjësie, duke luftuar deri në fund sëmundjen e rëndë".

Z. Dilja le pas gruan dhe dy djem./Voal-online.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.