VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

HASHIM THAÇI PO BËN PRESION NDAJ GJYKATËS KUSHTETUESE

E Premte, 08.15.2014, 06:36pm (GMT1)


Deklarimi i kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi, se askush nuk do të mund t'ia grabisë legjitimitetin qytetarit të Kosovës dhe se PDK-ja do të jetë ajo që do ta bëjë Qeverinë e re, po shihet si presion nga distanca ndaj Gjykatës Kushtetuese pak ditë para përballjes së të dyja blloqeve në seancën dëgjimore, raporton KTV.

Deputetja e rizgjedhur e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, thotë se është në natyrën e kryeministrit në ikje që institucionet e pavarura qoftë t'i kërcënojë apo t'i pushtojë tërësisht dhe kjo po vërehet edhe në raport me kushtetuesen.

Njësoj si AAK-ja, lëvizjet e Thaçit i sheh edhe Vetëvendosja. E derisa Thaçi sheh përpara një koalicion të gjerë, përgjigje i dha Aida Derguti, përcjell koha.net. Ajo tha se në asnjë formë Vetëvendosje nuk do të jetë aty ku është edhe PDK-ja dhe Hashim Thaçi.

Ndërkohë, analisti Shpend Kursani thotë se ky është një kërcënim i pastër që e ka bërë kryeministri dhe kërkon nga organet e rendit që më seriozisht të merren me të.

Kryeministri në ikje, Hashim Thaçi, në një intervistë për "Deutsche Welle", ka deklaruar se "institucionet nuk do të ndërtohen mbi mllefe, por duke respektuar në plotëni legjitimitetin qytetar, duke thënë se askush nuk do të mund t'ia grabisë legjitimitetin qytetarit të Kosovës".

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.