VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SOT NË KUSHTETUESE PËRBALLJA LAN-PDK

E Enjte, 08.21.2014, 07:37am (GMT1)



Blloku i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, të përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, sot do të ballafaqojnë argumentet dhe kundër-argumentet e tyre në Gjykatën Kushtetuese.

Seanca dëgjimore është thirrur me kërkesën e PDK-së në lidhje me kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit në seancën e parë konstituive më 17 korrik.

Në bazë të kësaj kërkese, Kushtetuesja më pas kishte pezulluar postin e kryetarit të Kuvendit, që mbante lideri i LDK-së, Isa Mustafa, deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

Blloku LDK-AAK-Nisma, kanë bërë të ditur se në përballjen në Gjykatën Kushtetuese, do të përfaqësohen nga deputetja Vjosa Osmani.

PDK si përfaqësues të sajin në këtë përballje ka caktuar profesorin e të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje, do të përfaqësohet nga deputetja Albulena Haxhiu dhe këshilltari ligjor i Lëvizjes VV Armend Shkoaz.

Bblloku LDK, AAK dhe Nisma do të mbrojë votimin për Mustafën në seancën e 17 korrikut dhe do të kërkojë që të vazhdojë puna e nisur e Kuvendit dhe zgjedhja e të gjitha organeve të reja.

PDK-ja pritet ta konsiderojë jo kushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës në seancën e 17 korrikut, duke pretenduar se vetëm kjo parti politike mund të ketë kryetarin e Kuvendit.
Përballja pritet të fillojë në orën 10.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.