VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SUPERVJEDHJA E BANKËS SË SHQIPËRISË - PROKURORIA FIRMOS FLETËTHIRRJEN PËR FULLANIN

E Premte, 08.22.2014, 06:31am (GMT1)



TIRANE - Prokuroria e Tiranës firmos fletëthirrjen për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili pritet të paraqitet për të dhënë shpjegime për skandalin e vjedhjes së shumës prej 713 milionë lekësh nga Thesari i Shtetit në Linzë. Lajmi konfirmohet nga zyrtarë të lartë në Prokurorinë e Përgjithshme, të cilët thanë se guvernatorit Fullani i është dërguar "ftesë për paraqitje", pasi nuk është person i dyshuar apo nën hetim.

Ftesa për paraqitje është firmosur gjithashtu për të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, zv.kryetares Elisabeta Gjoni, që është njëkohësisht dhe zv.guvernatore e BSH, si dhe anëtarëve, Petraq Milo, Dhori Kule, Ela Golemi, Ermelinda Meksi dhe Ardian Civici. I gjithë KB i Bankës do të dëshmojë mbi aktivitetin e institucionit suprem financiar në vend. Zyrtarët e organit të akuzës, janë të rezervuar për datat në të cilat u kanë bërë ftesë njerëzve më të rëndësishëm që drejtojnë Bankën e Shqipërisë, por me shumë gjasë, ata do të paraqiten para prokurorëve, në ditët e para të muajit shtator. I kontaktuar nga "GSH", guvernatori Fullani, nuk iu përgjigj pyetjes nëse do t'i përgjigjet ftesës së prokurorisë, por tha që për çdo interesim lidhur me këtë çështje mund t'i drejtoheshim zyrës së shtypit.

FTESA PËR PARAQITJE
Zv.guvernatorja Elisabeta Gjoni, e cila është njëkohësisht edhe zëvendëskryetare e Këshillit Mbikëqyrës, do të jetë e para që do të pyetet nga prokurorët, për shkak se është autoriteti përgjegjës për ngritjen e grupeve të auditit për Thesarin e Shtetit. Pyetja e "madhe" për të cilën prokurorët kanë nevojë të kenë një përgjigje nga znj.Gjoni, lidhet me faktin se përse tri vite me radhë në godinën "X" në Linzë nuk është kryer audit, mungesa e të cilit duket se ka krijuar lehtësira për realizimin e vjedhjes milionëshe nga ana e punonjësve të saj. Pasi të kenë në duar dëshminë e Gjonit dhe të anëtarëve të Këshillit, do të pyetet në fund dhe guvernatori, i cili ende nuk dihet nëse do t'i përgjigjet ftesës së prokurorëve.

KLODIANA LALA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.