VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MBETJET MORTORE SILLEN NGA RUDNICA NË KOSOVË

E Premte, 08.22.2014, 11:13am (GMT1)



Zyrtarët e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur të Kosovës, kanë njoftuar se mbetjet mortore të 16 personave të identifikuar në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, do të sillen sot në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur të Kosovës, Prenk Gjetaj.

Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pavarësisht kërkesës, të cilën pala e Kosovës ia kishte bërë palës serbe që kthimi i mbetjeve mortore në Kosovë të shtyhet deri më 26 gusht, kjo e fundit ka vendosur që këtë ta bëjë të premten.

"I kemi lutur që kjo të shtyhet deri më 26 gusht, për shkak se familjet e viktimave nuk kanë qenë të njoftuara me kohë. Pala serbe nuk e pranoi kërkesën tonë, për shkak se për një gjë të tillë tashmë ekziston vendimi i gjyqit, i cili  e ka caktuar datën e sotme dhe data nuk ka mundur të ndryshojë. Mbetjet mortore i kanë nisur nga Rudnica drejt Merdares. Trupat do t'i pranojë EULEX-i", ka thënë Gjetaj.

Gërmimet në vendin ku po hulumtohet varreza masive, ishin ndërprerë muajin e kaluar, për shkak se pala serbe, e angazhuar në këtë proces kishte, siç thuhej, mungesë fondesh.

Varreza masive në Rudnicë të Rashkës është zbuluar në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa ekipet mjeko-ligjore kanë gjetur mbetjet mortore të rreth 50 personave, dhe ata dyshojnë që në këtë zonë janë rreth 250 trupa të varrosur të shqiptarëve.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.