VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ISA MUSTAFA I SIGURT SE DO TË ZGJIDHET KRYETAR I KUVENDIT TË KOSOVËS

E Premte, 08.22.2014, 05:12pm (GMT1)


Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli të pavlefshëm zgjedhjen e tij si Kryeparlamentar në seancën e 17 korrikut.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka shkruar se vendimin nuk e sheh as si djegie e as si fitore të njërës apo tjetrës palë.

Ndërkaq, ai ka mbrojtur Vjosa Osmanin, e cila si juriste sot humbi rastin e dytë përballë Gjykatës Kushtetuese. Herën e parë me Fatmir Sejdiun dhe herën e dytë me Isa Mustafën.

"Vjosa Osmani e bëri shkëlqyeshëm punën e saj. Dje ishim dëshmitarë të një prezantimi brilant të zonjës Vjosa Osmani në seancën dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese. Ishin argumente shumë të qarta dhe të bazuara kushtetuese me dokumentim, që u prezantuan nga Vjosa", ka thënë Mustafa.

"Vjosa Osmani, edhe pse kishte lënë dy fëmijët në Australi, me përkushtimin më të madh punoi në përgatitjen e përgjigjes për këtë gjykatë, e cila përgjigje u përkrahë nga LDK, AAK, Nisma, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe", shtoi ai.

Lideri i LDK-së shprehu mirënjohje për punën e madhe të Osmanit dhe të përkushtuar. "Vendimi është i Gjykatës Kushtetuese dhe jo i zonjës Osmani", shtoi ai.

"Por, vendimi ynë është që LDK, AAK dhe Nisma ta çojnë deri në fund projektin e përbashkët të tyre për ndryshime në qeverisjen e këtij vendi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të prezantuar në një komunikatë për media, nuk e shoh as si djegie e as si fitore të njërës apo tjetrës palë, por dua të theksoj se Kuvendi vendos në mënyrë demokratike me votat e mbi gjysmës së deputetëve, prandaj do të fitojë ai që siguron këto vota edhe kësaj radhe", ka shkruar Isa Mustafa.kd

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.