VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NJË GRUP KUNDËRSHTON ME ARMË OPERACIONIN ANTIDROGË - POLICIA SHPALL SHPËRBLIM 100 MIJË EURO PËR INFORMATORËT

E Shtunë, 08.23.2014, 09:39am (GMT1)



SHKODËR- Një grup personash e kanë pritur me të shtëna armësh operacionin antidrogë të policisë në Shkodër. Burime nga policia bëjnë me dije se të shtënat me armë ndaj efektivëve që marrin pjesë në operacion kanë ndodhur në komunën Pult.

Të njëjtat burime sqarojnë se janë identifikuar autorët: Besnard Kol Bungaja, Lekë Thani, Nikollë Shpati, Mentor Bungaja, Nik Tonaj, Pal Dushku, Pëllumb Dushku, Gegë Kolaj, Gjin Guri dhe Kol Bungaj. Policia kërkon bashkëpunim nga banorët e zonës për të arrestuar grupin e personave që po qëllon me armë në drejtim të efektivëve. Për personat që do të japin informacione lidhur me grupin që po qëllon me armë në drejtim të policisë është vendosur edhe një shpërblim prej 100 mijë euro.

Operacioni antidrogë në zonën e Dukagjinit ka hyrë në ditën e tretë të tij. Ai drejtohet nga  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Altin Qato.

Përgjatë ditës së parë të aksionit antikanabis në zonën e Dukagjinit, policia bëri me dije se janë asgjësuar plot 34 bimë kanabis sativa. Ndërsa përgjatë 12 orëve të fundit, janë asgjësuar vetëm 7 mijë bimë. "Nga shërbimet e policisë në terren është bërë i munduar asgjësimi i mbi 7.000 rrënjëve bimë narkotike kanabis sativa, si dhe janë gjetur e sekuestruar dhe rreth 15 kg bimë narkotike boçe kanabis", njoftoi policia. "Në terren, - theksoi Policia e Shtetit, - janë angazhuar rreth 160 forca policore të Policisë Shkodër, të FNSH-së e repartit RENEA, dy helikopterë transportues të Ushtrisë, si dhe 15 mjete".
Në përbërje të këtyre forcave policore janë angazhuar edhe oficerë të policisë gjyqësore, si dhe 12 ekspertë kriminalistë të policisë shkencore, që do të bëjnë të mundur dokumentimin ligjor dhe fiksimin e marrjen e provave materiale në vendin e ngjarjes.

Policia e Shtetit informon se aksioni do të vijojë deri në asgjësimin e çdo sipërfaqeje të konstatuar të kultivuar me bimë narkotike në këtë zonë. Por pavarësisht se rrënjët e hashashit po asgjësohen përmes zjarrit, përgjatë dy ditëve të para të aksionit, nuk është informuar për kapjen e ndonjë kultivuesi të bimëve narkotike. Zyrtarë të policisë bëjnë me dije se po punojnë jo vetëm për të identifikuar kultivuesit e bimës narkotike, që në shumicën e rasteve rezultojnë të mbjella në toka pa pronar, por edhe të agresorëve të cilët përgjatë dy ditëve qëlluan në drejtim të forcave të policisë. Gjatë këtij viti, ky është aksioni më i madh antikanabis në vend, pas atij të ndërmarrë në Lazarat, ku fshati simbol i drogës, u mor nga policia pas një "përballjeje" të ashpër me grupet kriminale që fshiheshin brenda fshatit.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.