VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NDËRTIMET PA LEJE - KOMPETENCË E POLICISË

E Martë, 08.26.2014, 07:17am (GMT1)



Në Shqipëri, kompetenca për të luftuar fenomenin e ndërtimeve pa leje do t'i kalojë policisë e cila siç tha kryeministri Edi Rama duhet ta trajtojë çdo rast si të ishte një vepër kriminale.

Kryeministri paralajmëroi shkrirjen e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik dhe transformimin e tij në një inspektoriat për mbrojtjen e territorit i cili do të kalojë në varësinë e ministrisë së Brendshme, ndërsa tha se policia do të jetë në vijë të parë të betejës kundër ndërtimeve pa leje dhe shkatërrimit të mjedisit.

Zoti Rama shprehu pakënaqësi ndaj prokurorisë dhe gjykatave, kur tha se për mbi 1 mijë denoncime, asnjë person i vetëm nuk është dënuar me burgim.

Nga ana e saj partia demokratike reagoi duke i konsideruar një demagogji mashtruese të qeverisë, deklarimet e saj për ndërtimet pa leje. Deputeti Bedri Mihaj tha se prishjet e ndërtimeve po bëhen në mënyrë selektive, ndërkohë që nuk preken sipas tij, ata që kanë mbështetjen e pushtetit.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.