E Martë, 04.16.2024, 10:20pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJMI I FUNDIT
 
Zëri i Amerikës, JONAS ROLETT - ÇËSHTJA E BANKËS SË SHQIPËRISË, PROVË PËR SISTEMIN (Intervistë)
E Martë, 08.26.2014, 05:47pm (GMT+1)



Një analist amerikan që ka punuar me çështjet e qeverisjes dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri për mbi 20 vjet, thotë se mënyra e zgjidhjes së çështjes së vjedhjes në Bankën e Shqipërisë, është një provë për funksionimin e sistemit. Jonas Rolett, menaxher rajonal i Nismës për Evropën, në Fondacionin për Shoqëri të Hapur, thotë për Zërin e Amerikës, se procesi i gjetjes së përgjegjësive për vjedhjen duhet të vazhdojë. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, zoti Rolett thotë se në Shqipëri nuk ekziston tradita e dorëheqjeve.

Zëri i Amerikës: Zoti Rolett, që kur u mor vesh se ishin vjedhur një shumë që kapte shifrën rreth 7 milionë dollarë nga Banka e Shqipërisë, është debatuar shumë për përgjjejësinë që i takon drejtuesve, këshillit mbikqyrës dhe institucioneve në Shqipëri. Cili është mendimi juaj?

Jonas Rolett:
Pikëpamja ime është që duhet që sistemi të jetë funksional, pra procesi i drejtësisë dhe hetimi duhet të vazhdojnë. Këto gjëra nuk janë kurrë të thjeshta. Çdo sistem politik ka problemet dhe skandalet e veta. Prova është se sa është në gjendje sistemi që ta përballojë stresin që sjell një situatë e tillë.

Zëri i Amerikës: Në fakt po zhvillohen hetime, por kur ndodh diçka e këtyre përmasave, në një institucion të tillë të rëndësishëm, ka edhe një përgjegjësi morale. Analistët dhe shoqëria civile kanë kërkuar dorëheqjen e guvernatorit Fullani, por politika ka qenë më e heshtur. Si e shpjegono hendekun mes këtyre qëndrimeve?

Jonas Rolett:
Publiku ka të drejtë të jetë i indinjuar. Kjo është diçka që dëmton gjithë shoqërinë. Nuk është thjesht fjala tek dëmi financiar, por edhe ai i reputacionit i sistemit bankar. Këto gjëra kanë një rëndësi kyçe për publikun, prandaj është shumë e rëndësishme që publiku të ngrejë zërin. Mua më duket se reagimi i publikut është i justifikuar dhe është e rëndësishme që të ketë trysni qytetare që të ndërmerren hapat e duhur për këtë rast. Nga ana politike, është pak e vështirë të shohësh se ç'ndodh brenda partive apo qeverisë, por përshtypja ime është që ky rast ndikon tek të gjithë në një mënyrë apo një tjetër. Kjo nuk është çështje partiake, nuk bëhet fjalë për demokratë kundër socialistëve apo anasjelltas. Bëhet fjalë për një institucion që ka funksionuar gjatë 20 viteve të fundit, nën qeveri të ndryshme, me një guvernator që ka shërbyer nën qeveri të ndryshme, prandaj për të dyja palët ka rëndësi se si do të zgjidhet kjo çështje. Por është interesante që kjo nuk është kthyer në një çështje me qëndrime politike, mesa kam parë unë. Ka njerëz nga të dyja anët që kanë kërkuar një hetim, ose veprim. Unë mendoj se duhet kryer procesi ligjor. Nuk është mirë që dikush të gjykohet në media, apo të kërkosh veprime të nxituara, pa u zbuluar faktet. Por nga ana tjetër nuk është mirë që të mos merresh me atë proces fare, është gjë e mirë që zhvillohet ky debat dhe trysninë publike për veprim.

Zëri i Amerikës: Duke u nisur nga përvoja në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera demokratike, kur ndodhin gjëra të tilla, drejtues të institucioneve të tilla të rëndësishme reagojnë nga presioni por edhe nga ndjenja e përgjegjësisë dhe pjesërisht indinjata e publikut vjen sepse të paktën perceptimi që është krijuar është se zoti Fullani nuk e ka shfaqur këtë lloj ndjenje përgjegjësie. Cili është mendimi juaj?

Jonas Rolett:
Në vende të ndryshme, dinamika kulturore është e ndryshme. Në Japoni për shembull, kryeministrat, ministrat, krerët e korporatave japin dorëheqjen menjëherë. Nëse ndodh një skandal, njerëzit marrin përgjegjësitë. Është pjesë e kulturës së shoqërisë. Në Shtetet e Bashkuara, është pak a shumë diçka e mesme. Ka pasur raste që zyrtarët kanë marrë përgjegjësinë. Një rast i tillë ishte në vitin 2012, kur shpërtheu një skandal me Agjencia e Shërbimeve të Godinave Qeveritare,  me shpenzime të tepruara dhe trajtime luksoze në trajnime në Las Vegas. Në atë rast administratorja e agjencisë dha dorëheqjen.

Zëri i Amerikës: Dhe raste si për shembull ai i i kreut të Agjencisë për Veteranët...

Jonas Rolett:
Po, e vërtetë. Ka pastaj edhe raste të tjera kur njerëzit vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë, deri kur detyrohen të largohen. Një rast i tillë ndodhi në Këshillin Bashkiak të Uashingtonit, ku dy anëtarë të akuzuar për shpërdorim fondesh nuk dhanë dorëheqjen deri kur tha fjalën e vet drejtësia. Në Shqipëri nuk ekziston tradita e dorëheqjeve të zyrtarëve përveçse në raste të rralla. Pra kjo traditë nuk ekziston dhe traditat duhet të krijojen. Mendimi im është që Shqipëria po zhvillohet në shumë drejtime, përsa i takon ekonomisë, procesit politik, komunitetit të biznesit, botës akademike. Procesi politik është i lidhur me këto zhvillime, prandaj është e vështirë të gjykosh nga jashtë nëse ky është apo jo një rast kur dikush duhet të pranojë përgjegjësi politike dhe të japë dorëheqjen, apo është rast ku procesi gjyqësor duhet të vazhdojë, para se të merren hapa të tjerë.

Zëri i Amerikës: Zakonisht në raste të tilla dhe ky është një rast i veçantë pasi bëhet fjalë për paratë e publikut cila është rruga më e mirë për të ruajtur integritetin e institucionit?

Jonas Rolett:
Kjo është një pikë kyçe sepse tani kemi arritur tek prova e vërtetë e sistemit. Dikush mund të argumentojë se sistemi dështoi sepse punjësit e institucionit mundën të vjedhin para prej tij, duke shkelur masat e sigurisë. Mendoj se ky është një vlerësim i drejtë. Në të njëjtën kohë, sistemet vihen në provë kur rregullat e tyre ekzistuese duhet të vihen në zbatim dhe veçanërisht kur ka nuanca politike apo kur ka një mjedis politik të ashpër. Prandaj tani prova është nëse funksionon sistemi dhe a do të kemi një përfundim të pranueshëm.

Zëri i Amerikës:  Sipas jush kjo që po ndodh, a është një tregues i një kulture mosndëshkimi që ende vazhdon në Shqipëri?

Jonas Rolett:
Besoj se do ta zbulojmë: nëse nuk ndodh asgjë, do të ishte tregues që mund të ndodhin gjëra të këqija dhe askush nuk paguan pasojat. Në këtë rast është herët të flasësh. Të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë javëve dhe muajve në vazhdim. Por përshtypja ime është se do të ishte shumë e vështirë për sistemin politik në përgjithësi që të mos reagojë ndaj këtij incidenti.

Nëse sistemi i ngritur ishte jo i mirë dhe rrjedhimisht i ekspozuar ndaj komprometimit nga punonjësit, atëherë është e qartë që problemi është në atë nivel. Ekziston edhe përgjegjësia më e madhe e drejtuesve, por pa ditur hollësitë është e vështirë të gjykosh. Më duhet të them që ky ka qenë problem në gjithë rajonin. Nëse pyet qytetarët e zakonshëm të Bosnjës, Maqedonisë apo Serbisë për aftësinë e sistemit të drejtësisë për të dërguar npë burg "peshqit e mëdhenj", në përgjithësi ata janë të pakënaqur (nga rezultatet).  Përjashtim në masat që ka marrë përbën një vend: Rumania, ku Gjykata Kushtetuese ka treguar pavarësinë e saj. Sistemi ka arritur të çojë në burg një kryeministër, ministra, biznesmenë të pasur. Mendoj se do të ishte e dobishme të shihej përvoja e Rumanisë për të parë se çfarë mund të mësojë Shqipëria prej tyre.

Zëri i Amerikës: Përsa u takon konsolidimit të institucioneve dhe demokratizimit të tyre në Shqipëri, a shihni ndryshim në Shqipëri?

Jonas Rolett:
Po t'u hedhësh një vështrim historik, institucionet në Shqipëri janë shumë më mirë sot sesa në vitet 1991-1992. Personeli është më i kualifikuar, përvoja është më e madhe. Ndoshta zhvillimi nuk ka ardhur me aq shpejtësi nga ç'pritej, por gjërat kanë ecur. Një nga problemet, mendoj unë është se secila nga qeveritë që ka ardhur ka filluar nga e para dhe kështu humb njerëz me përvojë, dije dhe me lidhje. Këtë radhë mesa shoh ka një prirje për një ndryshim nga pikëpamja e brezave në politikën shqiptare. Ka disa anëtarë kabineti që janë nën 40 vjeç, ka punonjës të administratës që i janë rikthyer punës në qeveri. Gjithmonë është shpresa që gjërat do të përmirësohen nëse sjell një perspektivë të re. Dhe mendoj se po bëhen përpjekje të mëdha aktualisht për ta ndryshuar dhe reformuar sistemin  në shumë fusha si arsimi, pensionet, politika e jashtme. Tregues i forcës së institucioneve këtë radhë, do të jetë niveli i plotësimit të këtyre objektivave.

Zëri i Amerikës: Një nga sfidat kryesore në Shqipëri është korrupsioni, i cili është shumë i përhapur. Ka pothuajse një vit që qeveria e re ka marrë detyrën dje ende nuk është vënë re ndonjë ndryshim i madh në këtë drejtim. Cili është mendimi juaj?

Jonas Rolett:
Korrupsioni është si një hidër me 100 koka, është shumë i vështirë për t'u eliminuar. Fondacioni ku unë punoj, ka pasur projekte dhe programe për të luftuar korrupsionin që prej 20 vjetësh. Në  Shqipëri ka një traditë të informalitetit, një dukuri që shpesh e ushqen korrupsionin. Mendoj se ky është një proces shumë i gjatë: shteti ligjor, gjyqësori janë elementë kyç, ashtu si edhe përpjekjet e vazhdueshme për ta luftuar. Dhe presioni nga jashtë gjithashtu ka rëndësi të madhe. Unë shpresoj që Shqipëria të ecë përpara. Tani për shembull është edhe Bashkimi Evropian që i thotë Tiranës se perpektiva për t'u anëtarësuar në BE, varet nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por ajo që është më e domosdoshme, është ndryshimi i mentalitetit dhe udhëheqësit politikë shpesh reflektojnë kulturën nga kanë dalë, janë pasqyrim i shoqërisë dhe në Shqipëri kur u flet njerëzve të zakonshëm, ata janë shumë të pakënaqur nga kjo kulturë korrupsioni. Në të njëjtën kohë shoqëria është organizuar në mënyrë të tillë që është shumë më e thjeshtë t'i zgjidhësh gjërat mbi bazën e lidhjeve sesa në bazë të ligjit, apo rregullave. Kështu në një shoqëri ku gjërat nuk funksionojnë ashtu siç duhet, herë pas here njerëzit gjejnë rrugën e shkurtër gjë që në këto rrethana është e kuptueshme. Nuk do të thotë që korrupsioni është gjë e mirë, por që mjedisi ku qytetarët, politikanët dhe gazetarët shqiptarë veprojnë, nuk krijon ende premisa për përmirësimin e situatës përsa i takon korrupsionit, pikërisht sepse është një çështje kaq e vështirë për t'u zgjidhur.
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
GJYKATA KUSHTETUESE - PARTITË TA ZGJIDHIN VETË NGËRÇIN INSTITUCIONAL (08.26.2014)
OLIVER IVANOVIÇ - PARA GJYQIT NËN AKUZAT PËR KRIME LUFTE DHE VRASJE (08.26.2014)
LAN - AKTGJYKIMI I KUSHTETUESES I HAP RRUGË KRJIMIT TË INSTITUCIONEVE NGA LDK-AAK-NISMA (08.26.2014)
AUTOSTRADA ADRIATIK-JON, TEMË QENDRORE E 4 KRYEMINISTRAVE (08.26.2014)
EKSPERTËT, KOSOVË - ORGANIZIMI EDHE I NJË PALË ZGJEDHJEVE, DËM PËR EKONOMINË (08.26.2014)
SHQIPËRIA MË 2015 SYNON KUFIJ PA KONTROLL ME KOSOVËN (08.26.2014)
NDËRTIMET PA LEJE - KOMPETENCË E POLICISË (08.26.2014)
ISA MUSTAFA - PDK PROPOZON E PARA, POR KRYEKUVENDARIN E ZGJEDHIM NE (08.26.2014)
PDK KËRKON VOTA PËR KRYEKUVENDARIN, LAN PRET RASTIN E VET (08.25.2014)
POLITIKANËT - KATEGORIA MË E PASUR NË KOSOVË (08.25.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KLIKONI NË WWW.VOAL.CH - ZËRIN E SHQIPTARËVE NË NJË DIZAJN TË RI - WWW.VOAL.CH  -  VOAL
80 TË RINJ AMERIKANË E MBAJTËN PARA KUVENDIT KONCERTIN ME KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
80 AMERIKANË KËNDOJNË SOT PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
PROTESTA SOT NË SHKUP - TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI
NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKIT
DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT - NDJEKIM NGA AFËR SITUATËN NË MAQEDONI
MAQEDONIA NGRE TRIDHJETË AKUZA PËR TERRORIZËM
LUBOMIR FËRÇKOSKI - QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKEFërçkoski - Konflikti në Maqedoni s'ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”
MANIFESTIM SPONTAN NË TIRANË 'KUMANOVË NUK JE VETËM'
MUSTAFA - 700 SHQIPTARË NGA MAQEDONIA JANË ZHVENDOSUR NË PRESHEVË

 
VOAL
[Shko lart]