VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FLORA BROVINA NUK E THËRRET SEANCËN PLENARE PA MARRË URDHËR NGA PDK

E Enjte, 08.28.2014, 07:14am (GMT1)



Flora Brovina, nuk e ka ndërmend të thërrasë deputetët për vazhdimin e seancës konstituive, derisa nuk merren vesh partitë politike.

Kryesuesja e Kuvendit, e cila ndërpreu seancën e 17 korrikut dhe bashkë me deputetët e tjerë të partisë së saj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores ë Kuvendit nga blloku opozitar LDK-AAK-Nisma, ka thënë se pas aktgjykimit që i dha të drejtë, subjektet politike duhet të aktivizohen dhe të gjejnë zgjidhje për tejkalimin e këtij ngërçi që ka bllokuar vazhdimin e konstituimit të Kuvendit the dhe formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

"Nëse nuk merren vesh nuk ka logjikë të thirret vazhdimi i seancës së Kuvendi, por nëse nuk merren vesh, atëherë kjo na çon drejt zgjedhjeve të reja, dhe për këtë nuk mendoj se ka parti të interesuar, nëse shikojnë interesin e qytetarëve të Kosovës. Është tjetër gjë nëse shikohen interesat e ngushta", ka thënë Brovina.

Brovina, një intervistë Radio Dukagjinin, ka thënë se është optimiste se do të dilet nga kjo situatë, por njëkohësisht e dëshpëruar me mosreagimin logjik të bllokut opozitar.

"Jam optimiste se do të gjendet një zgjidhje e pranueshme, dhe duhet të jem optimiste pasi Kushtetuta dhe ajo që ka thënë Gjykata Kushtetuese, tregon se është pikërisht ajo që unë e kam mbrojtur në seancën e parë të konstituimit të Kuvendit, pra kam mbrojtur kushtetutshmërinë e vendit", ka thënë Brovina. "Njëkohësisht jam e dëshpëruar me mosreagimin logjik të faktorit politik të cilët po barrikadohen, pra barrikadohen shqiptarët mes vete. Dhe sigurisht se në këtë rast e kam fjalën për bllokun opozitar. Sepse, është jologjike të favorizohen serbët që dirigjohen nga Serbia për një pushtet që nuk do të jetë as stabil dhe nuk e garanton Kushtetuta dhe në anën tjetër të mos gjejnë mundësi të bisedojnë me një parti fituese të zgjedhjeve, pra të injorojnë të gjitha ato vota, sovranin që e ka votuar Partinë Demokratike", ka thënë ajo.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.